E Diel, 1 Nëntor 2026

Mal i Zi, Vujanoviç: “Njohja e Kosovës në pajtim me Kushtetutën”



Presidenti i Mali të Zi, Filip Vujanoviç ka vlerësuar se njohja e Kosovës është na pajtim me kushtetutën. “Vendimi i qeverisë të enjtën ishte kushtetues”,- tha Vujanoviç duke sqaruar se vendimi i qeverisë ndjek atë që kanë bërë edhe 49 shtete para Malit të Zi. Ai theksoi se Mali i Zi ka pritur pothuajse tetë muaj për t’u shprehur për Kosovën, duke e bërë këtë pasi u shprehën 48 shtete, 22 në BE dhe në NAT0 dhe 30 në Këshillin e Europës. “Jemi të vetëdijshëm se nuk mund të bëjmë politikë shtetërore në dëm të qytetarëve dhe në dëm të Mali të Zi si shtet në formacionet integruese”,- ka thënë Vujanoviç, i cili pret që edhe autoritetet e Serbisë ta kuptojnë se kjo është realitet. Ai hodhi poshtë pohimet se mbi Malin e Zi janë bërë presione për të njohur Kosovën, duke thënë se shteti i Malit të Zi është konsideruar si partner, i cili duhet të respektojë vlerat e politikës së jashtme të BE-së nëse do që të hyjë në të. Edhe kryeministri malazez Milo Gjukanoviç u shpreh për njohjen e Kosovës. Ai theksoi se vendimin për njohjen e Kosovës Mali i Zi e ka marrë, jo për shkak të presioneve, por nga nevoja e forcimit të besimit të partneritetit me vendet e BE-së dhe NAT0-s, pjesë përbërëse e të cilave synon të bëhet. Deklararat e dy liderëve të Malit të Zi u bënë një ditë pas protestës së dhunshme që u zhvillua në Podgoricë kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Në këtë protestë mbetën të pagosur rreth 34 persona mes të cilëve policë dhe protestues.

Arrestohen 4 serbe të Bosnjes për masakrën e Vllasiçit

Policia boshnjake arrestoi dje katër serbë të Bosnjës të dyshuar për pjesëmarrje në një masakër ndaj më shumë se 200 myslimanëve dhe kroatëve në fillim të luftës së Bosnjes në vitet 1992-1995. Lajmi u bë i ditur nga zyra e prokurorit të përgjithshëm. “Milorad Skrbiç, Milorad Radakoviç, Gordan Djuriç dhe Ljubisa Cetiç u arrestuan me akuzat për krime kundër njerëzimit pranë qytetit veriperëndimor të Prijedorit”,- njoftoi në një deklaratë zyra e prokurorit. “Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e më shumë se 200 civilëve myslimanë dhe kroatë në Malin e Vlasiçit, të cilët u transportuan me autobusë nga kampi i përqendrimit në Prijedori në qytetin qendror të Travnikut”,- thuhet në deklaratë. Masakra ndodhi më 21 gusht 1992 në Bosnjen qëndrore si pjesë e një vale spastrimi etnik, ndërkohë që forcat rebele serbe të Bosnjes u përleshën me kroatët boshnjakë dhe myslimanët gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Viktimave të masakrës, shumica prej të cilëve meshkuj, iu tha se do të liroheshin në shkëmbim të të burgosurve dhe u dërguan nga kampi i përqendrimit të Trnopoljes në një zonë pyjore. Atje, të burgosurit u detyruan me forcë të uleshin në gjunjë në buzë të një gremine dhe u qëlluan me armë zjarri. Disa veta arritën të mbijetojnë duke ikur në rrëmujë e sipër ose duke u hedhur nga shkëmbi.

Gruevski në Hagë për të takuar Johan Tarçullovskin

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka udhëtuar dje drejt Hagës për të vizituar Johan Tarçullovskin, ish-oficerin e dënuar maqedonas për krime lufte ndaj shqiptarëve. Ish-oficeri i lartë i policisë, Tarçullovski u dënua me 12 vjet heqje lirie, për vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Luboten, në mars të vitit 2001 gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni. Në këtë cështje u gjykua edhe ish-ministrin e brendshëm, Lube Boshkovski, por më pas Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e shpalli të pafajshëm. Qeveria e Maqedonisë ka marrë nën përkujdesje Tarçullovskin, mbrojtjen e tij dhe familjen. Ish-Ministri i Brendshëm maqedonas Lube Boshkovski para dy ditësh paralajmëroi sërish kandidaturën e tij për president të vendit në zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë Boshkovski tha se shpresonte që të përfitonte edhe votat e shqiptarëve, edhe pse sic dihet ai ka qenë një nga të akuzuarit kryesor për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 2001 në Luboten të Shkupit. Haga e shpalli të pafajshëm Boshkovskin.

GJENEVË
Fillojnë bisedimet për konfliktin Gjeorgji-Rusi
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun vizitoi Gjenevën në prag të bisedimeve rreth konfliktit Gjeorgji-Rusi. Takimi ndërkombëtar synon zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura nga lufta e gushtit mes Rusisë e Gjeorgjisë. Bisedimet organizohen nga OKB-ja, BE-ja dhe OSBE-ja.
Delegacionet e Gjeorgjisë dhe Rusisë pritet të marrin pjesë, por dy vendet kanë mosmarrëveshje lidhur me përfshirjen në bisedime të dy rajoneve separatiste të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

AFGANISTAN
Vritet një zyrtar, truproja e tij dhe 5 militantë
Persona të armatosur kanë vrarë dje një zyrtar qeveritar në jug të Afganistanit, ndërkaq, forcat e koalicionit amerikanë kanë vrarë, pesë militantë në jug të kryeqytetit, kanë bërë të ditur një zyrtar i lartë policie dhe ushtria amerikane. Dost Mohamed Arghestani, udhëheqës i departmentit për punë sociale në provincën Kandahar është vrarë duke shkuar nga dy militantë nga një motoçikletë në lëvizje. Militantët kanë vrarë gjithashtu një truproje dhe kanë plagosur shoferin e tij.

SHBA
Obama kryeson në anketime nga Mekeinit
Sipas anketimeve, kandidati republikan Xhon Mekein gëzon më pak mbështetje sesa rivali i tij demokrat, Barak Obama, tri javë para zgjedhjeve. Senatori Mekein tha në një miting në shtetin e Virxhinia se presidenti i ardhshëm do të duhet të marrë masa të menjëhershme për t’u përballur me problemet ekonomike të vendit. Obama kryeson me katër pikë ndaj senatorit Mekein, ndërsa sipas një sondazhi tjetër ai ka një epërsi prej 10 pikësh. Mekein ka premtuar se do t’i kundërvihet fuqishëm zotit Obama në debatin e fundit televiziv.

ZIMBABVE
Mbeki ndërmjetësues për krijimin e qeverisë
Ish presidenti i Afrikës së Jugut, Thabo Mbeki, ka mbërritur në Zimbabve për të ndërmjetësuar negociatat për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. Mbeki ka ndërmjetësuar edhe në arritjen e marrëveshjes së shtatorit për ndarjen e pushtetit mes Partisë ZANU të presidentit Robert Mugabe dhe Lëvizjes për Ndryshime Demokratike të liderit opozitar Morgan Tsvangirai. Megjithatë, palët nuk kanë arritur ende të formojnë qeverinë. Mollë sherri vazhdon të mbetet ndarja e posteve ministrore.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›