E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm Korça kujtohet për ditëlindjen e Dritëro Agollit



Petrika GROSI
Këto ditë ka kaluar krejt në hije sa i takon organizimeve dhe aktiviteteve nga institucionet kulturore të kryeqytetit (qoftë ato bashkiake, apo edhe në varësi të Minstrisë së Kulturës) ditëlindja e 77-të e shkrimtarit tonë të madh Dritëro Agolli. E vetmja që e ka kujtuar dhe nderuar Agollin në këtë përvjetor të dyfishtë të tij, (pasi kemi dhe 50-vjetorin e botimit të parë të poetit) ishte vendlindja, Korça. Në bibliotekën “Thimi Mitko” të këtij qyteti është organizuar një mbrëmje poetike, ku aktorët e teatrit të Korçës Zamira Kita, Ligoraq Riza e Klaudeta Riza interpretuan dhe recituan poezitë më të mira të Agollit, ndërkohë që është çelur edhe një ekspozitë fotografike kushtuar poetit të Devollit. Ndonëse shkrimtari mungonte në këtë aktivitet, atmosfera e krijuar me fotografitë e tij, botimet, filmin dokumentar, e deri te fjalët e Dritëroit të vëna me shkronja të mëdha në një stendë, e bënin më të ngrohtë këtë mbrëmje. “Me mua ndodh një fenomen i çuditshëm: edhe kur jam në Tiranë, më vjen aroma e Korçës. Ajo më thërret për të ardhur. Unë kur vij në Korçë, ndihem i përputhur me erën”, -ka thënë Agolli. Më tej, miqtë e Agollit, letrarë e kritikë kanë folur mbi krijimtarinë e autorit në poezi e prozë, si dhe kanë treguar kujtime e ndodhi të tyret me shkrimtarin më popullor shqiptar. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori në fshat, kurse të mesmet në Gjirokastër. Pasi kreu jashtë shtetit në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad (Shën Peterburg) studimet e larta për gazetari, punoi një kohë të gjatë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” Rrugën letrare e nisi me vjersha, të cilat i botoi që kur ishte gjimnazit. Krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat e poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devoll, Devoll; Poemë malore; Hapat e mia në asfalt, etj.) Vepra poetike më me jehonë e Agollit është “Nënë Shqipëri” (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet të lirisë. Sa i takon prozës, të gjithë shqiptarët i njohin veprat e Agollit siç janë “Komisari Memo”, “Njeriu me top” dhe kryeveprën e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973).
Në mbyllje, duke i uruar jetë të gjatë shkrimtarit, shpresojmë që shteti dhe qeveritë të ndërgjegjësohen se është fat që kemi ende gjallë figura të kalibrit të tillë si Agolli, apo Kadare, për të cilët është krejt e natyrshme të bëjmë çdo vit festë, ashtu sikurse guxojmë të krenohemi dhe t’i tregojmë botës vlerat tona përmes veprës së tyre. Ajo ç’ka presim është modeste, nuk kërkon shumë shpenzime, por veç pak ndërgjegje dhe kulturë qytetare.

Teatri “Dodona” në Prishtinë
Nisin provat për “Stjuardesat”

Në Teatrin e të Rinjve dhe Kukullave “Dodona” në Prishtinë kanë filluar provat e para rreth inskenimit të komedisë “Stjuardesat” (Boing-Boing) nga Marc Kamelot, e cila ishte inskenuar për herë të parë në vitin 1997 nga profesori i ndjerë Faruk Begolli. Inskenimi i saj bëhet në përpjekje për të ringjallur jetën teatrale në nivel vendi, si dhe për të rikthyer shfaqjen, e cila ishte punuar nga profesori i ndjerë. Në këtë shfaqje luajnë aktorë të gjeneratave të ndryshme, ku disa prej tyre ishin edhe pjesëtarë të ekipit, të cilët kishin inskenuar këtë shfaqje nën regjinë e profesor Begollit. Regjinë e kësaj shfaqje e ka marrë përsipër Meli Qena. Po ashtu, pjesë e grupit që do ta ndihmojnë inskenimin e kësaj komedie dhe do të japin kontributin e tyre në regji, do të jenë edhe aktorët, të cilët ishin bartës të kësaj shfaqje në vitin 1997, në krye me Armond Morinën, Gjejlane Godancin dhe Mentor Zymberajn. Ekipi i ri i aktorëve që do të luajë në këtë komedi përbëhet nga Armend Baloku, Flutura Zeneli, Besart Sllamniku, Agnesa Nokshiqi, Edita Dula dhe Flutura Bardhi.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›