12 rekomandimet e KE-së, Bregu: Prioritet mbetet dialogu

Një muaj para se të jepet opinioni i radhës i Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të 12 rekomandimeve për statusin e vendit kandidat në BE, ministria Majlinda Bregu ka raportuar sot në Komisionin e Integrimit.
Gjatë fjalës së saj ministrja e integrimit tha se dialogu politik mbetet prioritet për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Ministria Bregu gjithashtu theksoi se nëse do të ketë vullnet politik atëherë do të realizohet edhe reforma zgjedhore e cila është mjaft e rëndësishme për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme sipas standarteve europiane. Sipas saj reforma zgjedhore duhet të realizohet në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë.
Qëllimi i kësaj seance është vlerësimi i progres-raportit të vitit 2010, posaçërisht 12 rekomandimet e KE-së. Ndërkohë me rikthimin e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare të Kuvendit, opozita ka deklaruar se në qendër të këtij vendimi janë 12 prioritetet e BE-së.
Nga ana tjetër rekomandimi i parë i KE-së flet për funksionimin e Parlamentit mbi bazën e dialogut konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha forcave politike në vend.