E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 skuadra për Skelën, del edhe Bazeli



“Ervin Skela, kurrë më ‘cjap’ me Energinë”. Ky ishte titulli i popullores gjermane “Bild”, në lidhje me të ardhmen e mesfushorit shqiptar pas rënies së Kotbusit në Bundesligën 2, simboli i së cilës në logon e klubit është pikërisht një cjap i kuq.
Klauzola specifike e parakontratës së Ervin Skelës me Energi Kotbusin kishte të bënte me qëndrimin e klubit nga ish-Gjermania Lindore në Bundesligën 1, dhe tashmë prej gati një muaji fantazisti 32-vjeçar është në kërkim të një destinacioni të ri.
Shpresa e tifozëve, që Ervin Skelën sezonin e ardhshëm ta shihnin sërish te Energi Kotbus, tashmë ka vdekur përfundimisht. Është vetë regjisori shqiptari që shprehet për “Bild”: “Tema ‘Kotbus’ është përfundimisht e mbyllur. Kam oferta nga Liga e parë dhe e dytë, por ende asgjë konkrete. Por dhe jashtë (Gjermanisë) ekzistojnë oferta interesante”.
Thashethemi më i nxehtë: Skela është në listën e dëshirave të klubit turk, Bursasporit (gazeta lokale “Bursa hakimijet”). Por, së fundi doli në qarkullim edhe një transferim i tij në Zvicër te Bazeli.
Gjithashtu, edhe klubi gjerman i Bundesligës 2, Tus Koblenz, atje ku luan Fatmir Vata, ekziston si opsion. Koblenzi drejtohet nga trajneri më i dashur për vlonjatin, 51-vjeçari Uve Rapolder. Skela thekson për tabloidin: “Së bashku ne kemi pasur gjithmonë sukses”.
Në të njëjtat tone është dhe Rapolder, madje shumë optimiste: “Po, unë do të doja ta kisha me shumë qejf Ervin në ekipin tim. Por, unë nuk e di nëse kjo do të realizohet, pasi në mes janë dhe motivet financiare”.
Ervin Skela mbërriti në janar të vitit 2007 te Energi Kotbusi, pasi kaloi një aventurë jo të sukseshme te Ascoli në Serinë A. Për “cjeprit” e Kotbusit, Skela për dy sezone e gjysmë u aktivizua në 72 ndeshje, duke shënuar 9 gola. Skuadra e re do të jetë e 11-ta për shqiptarin.

12 SKUADRA

Lista e skuadrave që janë të interesuar, ose më mirë është përfolur mediatikisht se kanë interesa për Skelën ka arritur deri tani në 12: Bundesliga 1 gjermane (Mainc, Borusia Mynshengladbah), Bundesliga 2 (Tuz Kolbenc), Seria a italiane (Kaljari), Seria B (Torino), kampionati grek i futbollit (Olimpiakosi dhe AEK-u i Athinës) dhe ai turk (Bursapor).

Lala
Altin Lala, mesfushori 33-vjeçar i Hanover 96 dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, përtëriti kontratën me klubin e tij.

Kapllani
Ish-sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, nënshkroi një kontratë me Augsburgun e Bundesligës 2.

Hyka
Mesfushori Jahmir Hyka nuk gjeti hapësirë aktivizimi te Mainc 05, dhe tani mund të huazohet në Zvicër te Zyrihu.

Cana
Kapiteni aktual i Marsejës, Lorik Cana, mund të nënshkruajë për 10 milionë euro me Hamburgun në Bundesligën 1.

Duro
Ish-mesfushori elbasanas i Omonia Nikosias, Klodian Duro, do të luajë me qipriotët e Ael Limasol sezonin e ardhshëm.

Trajneri: “Salihi
më është betuar,
nuk largohet”

Është kohë mërkatoje dhe transferimet e lojtarëvë janë një realitet apo dhe një mundësi reale. Ndërsa skuadra austriake, SV Ried, është duke humbur pas sezonesh aktivizim mesfushorin Evald Brener, trajneri Paul Gludovatz shprehet i lumtur dhe i bindur për mediat vendase, se sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi nuk do ta braktisë skuadrën në kërkim të një sistemimi të ri: “Hamdiu ma ka theksuar fort, që ai dëshiron të qëndrojë patjetër me ne”. Salihi shënoi 14 gola sezonin e kaluar me SV Ried, duke qenë njëherësh edhe lojtari më produktiv në skuadër.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›