E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lonçareviç, trajneri i ri i Tiranës?



Ilija Lonçareviç, kroati që humbi “betejën” me Josip Kuzhen për stolin e Kombëtares, mund të jetë trajneri i ri i Tiranës për sezonin 2009-2010.
Lajmi ende nuk është zyrtarizuar, por nga shtëpia bardheblu si dhe nga menaxherët shqiptarë të Lonçareviçit pohuan se tratativat janë në fazë të avancuar, ndërkohë që 64-vjeçari përveçse se një shumë “rekord” përsa i përket pagesës (flitet 120 mijë euro në sezon) ka kërkuar edhe një listë cilësore lojtarësh për të përballuar aventurën ambicioze të 24-herë kampionëve të Shqipërisë në Ligën e Kampioneve.
Tekniku do të mbërrijë të premten në Tiranë ku pritet t’i japë fund edhe bisedimeve, deri tani “on-phone”, e pas zyrtarizimit të udhëtojë më pas bashkë me skuadrën drejt Maqedonisë për të kryer fazën përgatitore.
Tirana ka parë në drejtimin e saj, përveç emrave më të spikatur të trajningut shqiptar, edhe katër trajnerë të huaj, duke filluar nga hungarezi Miklosh Temeshvari (2000-2001), boshnjaku Enver Haxhiabdiç (2002-2003), italianin Leonardo Menikini (2005) dhe kroato-boshnjakun Bllazh Slishkoviç (2008-2009), por asnjëri prej tyre nuk arriti të përfundojë një sezon të plotë.

Kush është?

Ilija Lonçareviç (64 vjeç) ka një karrierë të pasur si trajner.
Skuadra e parë që ka trajnuar është kroatja Zagrebi (1987-1998), ndërsa e fundit, Osijeku (nga viti 2006). Inter Zapreshiç, Marsonia, Slaven Belupo, Orijent Rijeka, Hrvatski dragovoljaç,
Çakovaç e Dinamo Zagreb janë të tjera ekipe të tij. Lonçareviç ka drejtuar dy herë edhe Kombëtaren e Libisë (2003-2004, 2005-2006).

Trajnerët e huaj

1. Miklos Temesvari (Hungari): 2000-2001
2. Enver Haxhiabdiç (Bosnjë) : 2002-2003
3. Leonardo Menikini (Itali) : 2005-2006
4. Bllaz Slishkoviç (Bosnjë-Kroaci): 2008-2009

TROFETË

Përsa u përket trofeve të fituar nga të huajt te Tirana, hungarezi Miklosh Temeshvarit fitoi Superkupën në vitin 2001, ndërkohë që boshnjaku Enver Haxhiabdiç fitoi Kupën e gazetës “Sport ekspres”.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›