E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaka e Ronaldo, debutimi më 26 korrik



Momenti i shumëpritur nga tifozët e Realit të Madridit, por jo vetëm prej tyre, dita kur Kaka e Kristiano Ronaldo do të debutojnë me “këmishën e bardhë”, do të jetë 26 korriku. Sipas gazetës iberike “As”, dy “mrekullitë” e reja të madrilenëve do të zbresin në fushë në ndeshjen e “Peace Cup” (Kupa e Paqes) kundër ekuadorianëve të Liga Universitaria të Kuitos. Nga ana tjetër, më 25 gusht, Kaka do të rigjejë shokët e skuadrës të Milanit për trofeun “Bernabeu”. Kaka u ble për 67 milionë euro, ndërsa Kristiano Ronaldo në vlerën rekord prej 94 milionë eurosh.

Ederson: “Ëndërroj të luaj me Interin”

Mesfushori i Lionit, Ederson ëndërron një të ardhme te Interi. “E kush nuk do të dëshironte të luante për një klub të madh si ky?”. Braziliani nuk e fsheh aspak dëshirën e tij për të luajtur me kampionët e plotfuqishëm të Italisë. “Jam i kënaqur që Interi është i interesuar për mua. Është një skuadër shumë e fortë dhe po asnjë dyshim një nga më të fortat në botë. Kush nuk do të dëshironte të luante për një klub të madh si ky? Interi ishte skuadra e parë europiane që tregoi interes për mua kur isha vetëm 19 vjeç, përpara se të transferohesha te Nisa (Francë)”. Kostoja e transferimit të talentit të ri amerikanojugor është rreth 20 milionë euro, shifër që klubi zikaltër mund ta sigurojë nga disa shitje.

Agjenti: "Milani është shtëpia e Gatuzos”

“Milani është shtëpia e tij”. Agjenti i Rino Gatuzos, Andrea D’Amico, përgënjeshtroi në mënyrë të thatë zërat e merkatos që e shihnin mesfushorin kuqezi pranë një marrëveshjeje me Çelsin e Karlo Ançelotit. “Fakti që Gatuzo paska një raport të mirë me Karlo Ançelotin nuk parakupton se dëshiron të largohet nga Milani”, - qartësoi D’Amico në Blogosfere.it. “E ardhmja e një lojtari dhe raporti me një teknik janë dy gjëra shumë të ndryshme”, - shtoi ai. “Gjithsesi, di se Rino do të ishte perfekt për Premier Ligën, por ‘Blutë’ nuk kanë trokitur në portën tonë”.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›