JANIS RICOS, Tirana përkujton poetin e njohur grek në 100-vjetorin e lindjes
Viti i Janis Ricos u përkujtua parmbrëmë gjatë aktivitetit “U lindëm të takoheshim” në Teatrin Kombëtar në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes të poetit të njohur grek. Ricos, i cilësuar si një ndër më të medhenjë e letërsisë dhe kulturës greke, njihet për krijimtarinë e tij në shumë vende të botës. Ministria e Kulturës së Greqisë e ka shpallur vitin 2009, si viti i Janis Ricos. Sipas ATSh-së, në mbrëmjen e organizuar në Teatrin Kombëtar në Tiranë nuk munguan notat e qeta të poezisë së tij nën interpretimin e aktorëve Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu, Sesilia Plasari dhe Marsela Lena. Gjatë aktivitetit u shfaq filmi dokumentar “U lindëm që të takoheshim”, një realizim i Qendrës së Bibliotekës Kombëtare të Greqisë, që solli një pjesë të jetës së Janis Ricos, nga lindja e tij, etapa drejt fëmijërisë, etj. Dokumentari përcolli shpirtin human dhe të pasur artistik që kishte poeti, pasionet e tij për pikturën, pianon, etj. Janis Ricos u lind në Monemvasia më 1909. Përmbledhja e tij e parë poetike “Traktor” (1934) bëri përshtypje për idetë e reja, autencitetin dhe pasurinë e shprehjes sidomos në qarqet përparimtare greke, pasi vetë titulli nuk ishte aspak i rastit, por simbolizonte ndryshimet e mëdha progresiste. Në përmbledhjen e dytë “Piramida” (1936) poeti shfaqet si "poet shoqëror", shqetësimi dhe frymëzimi i të cilit përfshin larmitë e jetës së përditshme, shqetësimet dhe dramat njerëzore, luftën për lirinë dhe dashurinë. Më pas “Epitaf” (1936), që pasqyronte frymëzimin ardhur nga turbullirat e Selanikut, përleshjet e punëtorëve, botohet në 10 mijë kopje, një numër i madh për atë kohë. Kjo vepër mbresëlënëse është vënë në muzikë nga kompozitori i shquar Mikis Teodorsakis. Poezia e Ricosit dallon për gjerësinë e ndjenjës së mendimit, pasionet e fuqishme luftarake, larminë e pafund të pamjeve, variacioneve të motiveve, figurave, ritmeve të brendshme, duke paraqitur një botë të trazuar, ndërsa derdh lule, brenga, ligjërime, himne, marshe për njeriun e thjeshtë grek. Kritikët theksojnë se vetë poeti duke folur për ndikimet që ka pasur, pranon gjithçka. Për të përvoja jetësore vetjake ishin burimet që mbushën rrjedhën e një frymëzimi vërshues e të pandërprerë, duke nxitur një botë poetike të pafundme në larminë e pasurisë së saj. Janis Ricos u nda nga jeta më 11 nëntor 1990. Modeli i Ricos në shqip mbetet përkthimi më serioz dhe elegant i “Mëhallat e botës” i Spiro Çomorës në vitin 1961.
19 Qershor 2009