E Diel, 1 Nëntor 2026

“FORCA E ZAKONIT”. një komedi austriake mbi pushtetin, në Teatrun Kombëtar

Pjesa e autorit Tomas Bernard dhe u përkthye në shqip nga Jonida Godole. Interpretojnë Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha dhe Elton Çefa

Petrika GROSI
“Forca e zakonit” titullohet komedia e autorit të njohur austriak e cila do të shfaqet si premierë absolute më datën 20 qershor në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Siç shpjegon regjisori Kristian Papke, autori Tomas Bernard është një div i letrave austriake. Ai është përkthyer në mëse 25 gjuhë të ndryshme të botës dhe për herë të parë vjen në skenën shqiptare. “Është një urë midis dy shteteve tona, që të mund ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, pastaj, Shqipëria e njeh diktaturën më mirë se sa unë në Austri.” – thotë regjisori Papke për mediat, ndërkohë që shpjegon se nëpërmjet shtjellimit të ngjarjeve, tentohet të jepen përgjigje mbi pyetjet që kemi ndaj pushtetit. Pra, çfarë ndodh me njerëzit që duhet vetëm të binden dhe të jenë të nënshtruar, sa tragjik e komik është destini i tyre, si dhe, a mund të bëjmë ne një marrëveshje me fuqinë e pushtetit? Kjo është filozofia e veprës, të cilën regjisori nuk ka dyshim se publiku do ta përthithë lehtësisht, duke qenë se shqiptarët kanë prekur një prej diktaturave më të egra e më të gjata komuniste në Europën Juglindore. Sa i takon komedisë, “Forca e zakonit” është një pjesë me tre akte, e cila u vu për herë të parë në skenë në vitin 1974 në Salzburg. Personazhet janë Drejtori i Cirkut, Caribaldi, i cili është një individ që ka maninë të kontrollojë gjithçka. Një tip i ftohtë dhe i paafrueshëm, i përkushtuar gjithë jetën ndaj punës me Cirkun dhe i vetmi personazh që mban emër në këtë komedi. Pastaj vjen zbutësi i kafshëve, një burrë i moshës së tretë i cili ka probleme me alkoolin, por pavarësisht kësaj mbetet personazh i dashur për të tjerët me përjashtim të drejtorit Caribaldi. Një tjetër personazh është gaztori, të cilit shpesh i bie kapela nga koka, ç’ka e nervozon jashtë mase drejtorin e Cirkut. Ai është shoku i ngushtë i zbutësit të kafshëve. Dy personazhet e tjera të komedisë janë mbesa dhe xhongleri. E para është e re në moshë dhe një kërcimtare që në litar mundohet të arrijë perfeksionin. Vajza është personi më i dashur i Caribaldit, pasi krahasuar me të tjerët ajo ka më shumë talent për “artin suprem të muzikës”, ndërsa xhongleri është një tip paksa romantik dhe ëndërrimtar i distancuar nga realiteti. Ndonëse e vlerëson shumë muzikën dhe Kuintetin e troftave, as ai nuk e pëlqen mënyrën e drejtimit të Caribaldit...

Subjekti

Drejtuesi i Cirkut, Caribaldi përpiqet me të gjitha forcat për të realizuar Kuintetin e Troftave. Por kjo duket gati e pamundur, pasi artistët vazhdimisht i prishin provat... Zbutësi i kafshëve dehet shpesh, i nervozon të gjithë me ushqimin e tij të preferuar rrepën e bardhë dhe e ka të pamundur ta bëjë provën. Por, problem i madh bëhet edhe rrëzimi i kapelës së gaztorit. Caribaldi nxehet dhe vetëm nxehet. Në kësi situatash, drejtori i Cirkut mundohet që të nxjerrë në pah gabimet e të tjerëve dhe t’u japë atyre mend, por natyrisht, në të shumtën e rasteve bëhet shkas për talljen e artistëve. Në mënyrë të veçantë, mbesa e tij ia del ta nxehë gjithmonë me të qeshurën e saj.

Autori

Tomas Bernard njihet si autori më i mirë dhe i suksesshëm austriak, veprat e të cilit janë përkthyer në 25 gjuhë të botës. Ai e filloi karierrën në vitin 1970 në Hamburg. Gjatë dy dekadave që do të vijonin nga ky start, një nga gjërat më të mira që ai reformoi, ishte riformulimi i gjuhës gjermane në të folurit e saj në të gjitha vendet gjerman–folëse. Kritiku i famshëm Benjamin Henris e cilëson Bernardin si shkrimtarin më të mirë, duke u shprehur për pjesën “Fuqia e zakonit” se “është komedia e parë gjermane në të gjithë botën, më e mira e të gjitha kohërave.”

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›