1.3 milionë euro për edukimin e trajnimin e të rinjve nga katër shtete
DURRËS Këshilli i qarkut Durrës, së bashku me organizata lokale e kombëtare dhe organe publike nga Italia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina si partnere, kanë vendosur të ndërmarrin një iniciativë të përbashkët. Këshilli i Qarkut Durrës, si Lider Përfitues për projektin DELMVET – “Zhvillimi i një Modeli Efikas të Menaxhimit në Nivel Lokal të Edukimit dhe Trajnimit Profesional”, i financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA-Adriatik, do të organizojë takimin e parë. Iniciativa e re përqendrohet në reformimin e trajnimit dhe edukimit profesional, të fokusuar në sistemin post-sekondar. Projekti do të ndihmojë në reformimin, trajnimin dhe edukimin profesional, nëpërmjet një menaxhimi lokal të modelit të trajnimit dhe edukimit profesional post-sekondar dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet vendeve të rajonit të Adriatikut. Qëllimi i projektit është forcimi i aftësive të zhvillimit ekonomik dhe social të qëndrueshëm të rajonit, nëpërmjet një strategjie të përbashkët veprimi, ndërmjet partnerëve të projektit, duke krijuar një rrjet të trajnimit dhe edukimit profesional. Rezultatet e pritshme të kësaj iniciative janë: krijimi i një rrjeti interaktiv, ku të gjithë aktorët e tregut të punës në rajonin e Adriatikut të përfitojnë nga eksperiencat e mira të trajnimit dhe edukimit profesional; mundësi të reja punësimi për studentët, të fokusuar veçanërisht tek të ardhurit e rinj, duke rritur përfitimet nëpërmjet aftësive dhe përfshirjes në trajnimin dhe edukimin profesional post-sekondar si dhe shpërndarja dhe përgatitja e kurrikulave me metodologjinë standarde, për trajnimin dhe edukimin profesional post-sekondar. Projekti ka një buxhet të përgjithshëm prej 1.363.000.00 euro dhe shtrihet në një periudhë kohore mars 2011-gusht 2013, kohëzgjatja e së cilës është 30 muaj. Partnerët e projektit janë Italia, Dhoma e Tregtisë Beograd, Serbi; Ministria Federale e Minierave, Energjisë dhe Industrisë Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëria. Bashkëpunëtorët e projektit në Durrës janë : Agjencia Kombëtare e Arsimit Profesional; Drejtoria Rajonale e Punësimit; Shkolla e arsimit profesional “Beqir Çela” si Dhoma e tregtisë dhe industrisë Durrës. Këshilli i qarkut të Durrësit mendon se ky projekt do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë në përvetësimin e dijeve dhe integrimin e projekteve të niveleve me ato të rajonit. A.K.