Zjarri në park, shkrumbohen katër autobusë
SHKODËR Katër autobusë të linjës urbane Fiat 370 me ngjyre blu janë shkrumbuar nga flakët mesditën e së martës në parkun e autobusëve të qytetit te Shkodrës. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, mësohet se fillimisht zjarri ka përfshirë një autobus në të cilin po bëheshin riparime duke salduar me oksigjen dhe më pas flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi të ndihmuara nga djegia e karburantit edhe tek autobusët e tjerë që ndodheshin aty pranë. Në pak minuta zjarri i ka djegur tërësisht të katër autobusët, të cilët, sipas punonjësve të parkut, nuk ishin në funksion, por do të dërgoheshin për në qytetin e Elbasanit, ku do të shkriheshin si dhe përdoreshin për pjesë ndërrimi për mjetet e tjera. Përhapjen e zjarrit me tej në mjetet e tjera që ndodheshin aty pranë si dhe në fabrikën ngjitur e ka penguar ardhja e menjëhershme e zjarrfikësve, reparti i të cilave ndodhet pranë parkut, vetëm pak metra më tej. Zjarrfikësit kanë mundur të izolojnë flakët dhe të vënë nën kontroll zjarrin që po përhapej me shpejtësi, derisa në shuarjen e tij. Policia e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes është duke hetuar në lidhje me shkakun e rënies së zjarrit, ku dyshimet e para bien mbi ndonjë shkëndijë në sistemin elektrik të autobusit në të cilin po ndërhyhej, tek pjesa e serbatorit, çfarë mund të ketë provokuar kështu dhe përhapjen e flakëve. Katër autobusët e shkrumbuar, por edhe të tjerë pranë tyre, qëndrojnë prej disa vitesh në gjendje degradimi në parkun e autobusëve në Shkodër, i cili është lënë në harresë. Persona të lënduar nuk ka patur .