E Shtunë, 31 Tetor 2026

13 raste me verdhëz në spitalin e Beratit

Shtohen rastet e të sëmurëve me Hepatit A në spitalin e Beratit. Burime zyrtare të repartit të Pediatrisë bëjnë me dije se ditët e fundit aty kanë mbërritur dhjetra fëmijë të sëmurë, të cilët janë diagnostikuar me verdhëz. Mësohet se mes 35 rasteve që kanë ardhur në këtë repart për vizitë mjekësore, 13 prej tyre, kanë rezultuar me verdhëz. Konfirmohet se 11 prej tyre janë nga lagjja "Donika Kastrioti" dhe dy raste të tjera kanë ardhur nga fshatrat e Mjeshovës. Po kështu gjatë një muaji e gjysëm, në këtë spital janë shtruar 11 fëmijë me sëmundjen ngjitëse të verdhëzës. Një pjesë e tyre janë larguar për t‘u kuruar në spitale të tjera. Nga ana e mjekëve po punohet për të gjetur shkakun se nga vjen sëmundja, e cila ngre dyshime për një epidemi zonale. Mjeku specialist i infektivit, Jashar Buba, pohon për gazetën se këtë muaj rastet e të prekurve nga verdhëza kanë ardhur në rritje.

Sipas mjekut Buba, kjo sëmundje vjen si rezultat i përdorimit të ujit të ndotur, papastërtive dhe kryesisht mungesës së higjienës vetjake. Për dy rastet e prekura nga fshatrat e Mjeshovës, një grup mjekësh specialist janë nisur drejt zonës dhe po kontrollon ambientet ku banojnë këta fëmijë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›