Politikat shëndetësore, paraqiten dy dokumente bazë
Në një ceremoni të organizuar dje drejtoresha e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, Roberta Mahoney dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u paraqitën dy dokumente bazë të politikës shëndetësore, "Kuadri i Zhvillimit të Mjekësisë së Familjes" dhe "Paketa Bazë e Shërbimeve në Kujdesin Shëndetësor Parësor", të cilat synojnë të përmirësojnë dhënien e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor për qytetarët. Ato synojnë sigurimin e një pakete gjithëpërfshirëse shërbimesh parandaluese dhe trajtuese për fëmijet, të rriturit dhe të moshuarit. Banorë të zonave urbane dhe rurale do të marrin shërbime të kujdesit shëndetësor mendor dhe të shëndetit riprodhues, si dhe informacion të vazhdueshëm në lidhje me nxitjen e sjelljeve dhe mënyrës së jetesës së shëndetshme. Falë programit të USAID, mbi 650 mjekë jane trajnuar si Mjekë Familjeje. Në muajt e ardhshëm këta mjekë do të marrin dhe çertifikimin formal. Në këtë reformë parashikohet që të gjithë mjekët e kujdesit parësor në Shqipëri të trajnohen në programin bazë të Mjekësisë së Familjes, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë programet e specializimit në Mjekësinë e Familjes si dhe programet e edukimit të vazhduar për të githë mjekët praktikues.