E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT në analizë, dalin në shesh shkeljet

Analiza vjetore e qendrës më të madhe spitalore në vend raportoi fakte, të dhëna, problematika, arritje, por mbi të gjitha ecurinë e procesit të mungesës së ilaçeve. Spitali më i madh në të gjithë vendin, i nivelit më të lartë diagnostikues, trajtues, kurues, ka vuajtur mungesën e ilaçeve duke nisur nga gjashtëmujori i dytë, pavarësisht deklaratave për mungesa që në muajin janar. Çudia më e madhe, e pa komentuar dje, gjatë analizës, ishte se farmacia e spitalit ka qenë e boshatisur për një kohë të gjatë, dhe në të madje nuk gjendeshin as rezerva betadine, oksigjeni, apo elementët thelbësore për punën normale të një spitali të thjeshtë, jo më të një niveli terciar. Gjatë prezantimit që ka mbajtur dje drejtoresha e qendrës spitalore, Gjeorgjina Kuli, ajo tha: "Farmacia e spitalit është pjesa më e diskutuar nga të gjithë. Kemi pasur mungesa edhe të produkteve si betadina, ndërsa e kemi gjetur situatën e rezervave në zero". Sipas drejtoreshës, fondi për ilaçet, vetëm në spital, ka qenë rreth 1 miliard lekë, por problemet me mungesat kanë qenë më të theksuara në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Rezultantja e gjithë prezantimit ka qenë se për spitalin "Nënë Tereza" janë dhënë fonde, por pavarësisht kësaj, spitali ka qenë pa ilaçe. Madje sot në 2009 administrata duhet t‘u shlyejë borxhin prej 10279513 lekësh distributorëve të ilaçeve që u kanë dhënë hua klinikave të spitalit. Pas analizës së "farmacisë", në sallën ku bëhej prezantimi, të ftuarit kanë rënë në "meditim", ndërsa kanë dëgjuar se operacionet më të shpeshta që kryen qendra spitalore, sipas statistikave, janë vendosjet e lenteve, ose ndërhyrjet më të thjeshta mjekësore.

Shtrimet dhe konsultat

Sipas analizës së detajuar të qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza", ajo mund të përkufizohet thjesht si poliklinika më e madhe në të gjithë vendin dhe jo si një qendër terciare. Qendra nuk ka kryer vetëm operacione të shkallës së lehtë, por edhe ekzaminime dhe diagnostikime, shumica e të cilëve mund të realizohen edhe në qytetet nga vijnë pacientët.

"Janë kryer 797 mijë konsulta, nga të cilat 90 mijë kanë qenë me rekomandime. Kjo na bën të mendojmë se po shkojmë drejt standardizimit dhe plotësimit të rregullave për zbatimin e sistemit të referimit", tha dje drejtoresha Kule. Sipas saj, vetëm nga vizitat e pacientëve, të cilët kanë kërkuar shërbim pa u vizituar te mjeku i familjes apo në poliklinikë, janë grumbulluar 16 milionë lekë në fondin e të ardhurave dytësore.

Sakaq, sipas analizës, janë vërejtur përmirësime të higjienës në ambientet spitalore. Përgjatë një viti në klinikat e spitalit janë evidentuar se kanë qarkulluar mikrobe si: pseudomonas, stafilokok, proteus. Po ashtu, sipas statistikave të bëra publike dje, spitali "Nënë Tereza" ka pritur 26 mijë pacientë të ardhur nga rrethet dhe 24 mijë shtrime nga Tirana.

"Kemi një rritje të pacientëve me tumore malinje, tumore të gjirit. Vdekjet më të shumta që janë regjistruar kanë qenë në Urgjencën e Kardiologjisë, Neurologjisë. Po ashtu një numër i lartë i vdekjeve është regjistruar edhe në reanimacion", vijoi gjatë prezantimit të saj drejtoresha Kuli. Sipas prezantimit, investime gjatë 2009-ës janë bërë në shërbimin e urologjisë, kobaltoterapi, kirurgji, reparti nuklear.

Statistikat kryesore

Aktualisht, në qendrën spitalore janë të punësuar 2400 punonjës, mes tyre rreth 300 mjekë. "Në korrik 2008, spitali ka pasur 148 punonjës mbi strukturën e miratuar dhe janë larguar 84 prej tyre", sqaroi drejtoresha. Sipas saj, një pjesë prej këtyre punonjësve ushtrojnë profesionin si sanitarë apo punëtorë të kaldajës. Duke vijuar me të dhënat e bëra publike dje, në vitin 2008, ditë-qëndrimi mesatar i pacientëve ka qenë 6.5 ditë, shfrytëzimi i shtretërve ka qenë 70 për qind, ka pasur 597 vdekje. Në sallat e kirurgjisë, në spitalin "Nënë Tereza", janë kryer më shumë se 18 mijë operacione, ka pasur më shumë se 22 mijë urgjenca. Më shumë se 50 për qind e operacioneve janë kryer për pacientët e ardhur nga rrethet. Rreth 13 mijë operacione kanë qenë për rastet tumorale dhe 8 mijë operacione janë kryer vetëm për pacientët e kryeqytetit. Mes pacientëve janë konstatuar më shumë se 1 mijë anomali të lindura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›