E Diel, 1 Nëntor 2026

13-vjeçari godet me thikë nxënësin në shkollë



Fier- Një nxënës i klasës së tetë në shkollën “Andon Xoxa” në Fier është plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, por jo nxënës i kësaj shkolle. Ngjarja ka ndodhur në pushimin e gjatë, brenda territorit të shkollës. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, një grup djemsh të shkollës u përfshinë në një sherr me disa bashkëmoshatarë të tyre, që vinin nga jashtë shkollës.
Nuk dihet ende se cili ka qenë motivi i zënkës, por më pas situata degjeneroi në përdorimin e mjetit të ftohtë. Ngjarja tronditëse pason dy ngjarje të ndodhura më parë në Durrës e Tiranë, ku autorët kanë qenë minorenë që kanë përdorur mjete prerëse për të kryer krime.
Ngjarja
Një 13 vjeçar ka plagosur me thikë një bashkëmoshatarin e tij, nxënës në shkollën 9-vjeçare në Fier, pas një grindjeje banale. Ngjarja ndodhi dje në shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa”, pas sherrit për lojën e futbollit që po luanin në fushën e sportit të shkollës. I mituri me inicialet A. M. ka nxjerrë një thikë që e kishte me vete dhe ka goditur bashkëmoshatarin e tij me iniciale E.M. Si pasojë, nxënësi është plagosur rëndë. Të alarmuar, nxënësit kanë lajmëruar mësuesit, të cilët njoftuan policinë për rastin e rëndë. E.M. është dërguar me urgjencë në spital ku ndodhet në repartin e reanimacionit dhe mjekët thanë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë është marrë në pyetje, në prani të psikologut, 13-vjeçari A.M, që konsiderohet si autor i ngjarjes. Pritet shoqërimi në polici i prindërve të tij. Drejtori i shkollës është shprehur se 13-vjeçari, autor i ngjarjes, nuk ishte nxënës i shkollës dhe se drejtoria do të kërkojë praninë e policisë në ambientet e shkollës pas kësaj ngjarjeje. Prezenca në shkollë e një të mituri që nuk i përket kësaj shkolle, i pajisur për më tepër me armë të ftohtë, duket se e rëndon situatën edhe për drejtorinë e kësaj shkolle.
Rastet
Rasti i djeshëm në Fier pason dy raste të ngjashme në Tiranë dhe Durrës brenda pak orësh. Adoleshentë të moshës 14-15 vjeçare janë bërë autorë dje të dy krimeve makabre të realizuara me armë të ftohta. Një 14-vjeçar në periferi të Tiranës vrau me thikë vëllain e tij 23-vjeçar pas një grindjeje që pati me të atin. Kurse në zonën e Plazhit të Durrësit, një minoren 15-vjeçar i preu me thikë fytin një shitëseje pasi kjo e fundit nuk pranoi t’i jepte artikuj falas.

Policia gjen një arsenal armësh në një banesë, arreston në flagrancë dy persona

Krujë - Policia zbulon një arsenal armësh dhe municioni në banesën e një shtetasi. Burime zyrtare të policisë së Krujës bëjnë të ditur se kontrolli në banesën e P. Shotës ka ardhur pas të dhënave operative që policia ka pasur për mbajtjen e municionit luftarak, pasi një muaj më parë uniformat blu kishin nisur edhe ndjekjen e dy djemve të Shotës: Julianit dhe Andit. Sipas të njëjtave burime mësohet se dy të rinjtë dyshoheshin se ishin ata që lëviznin me mjetin e tyre dhe qëllonin me armë automatike në qytetin e Fushë-Krujës, duke terrorizuar banorët. Ndërsa policia disa herë i kishte ndjekur ata, por pa mundur që t’i kapte në flagrancë. Dje, rreth orës 15:00 të pasdites, policia ka mundur të marrë edhe informacionet se me makinën tip Volkswagen, me targa të Tiranës, dy të rinjtë lëviznin të armatosur. Menjëherë policia ka ushtruar kontroll në mjetin që drejtohej nga Julian Shota dhe ka mundur të gjejë edhe një automatik tip kallashnikov, në sediljen e pasme të makinës. Policia e Krujës ka shoqëruar në polici dy të rinjtë. Megjithatë, policia ka mbërritur më pas në banesën e Prend Shotës, duke kryer edhe kontrolle të imtësishmë, ku ka gjetur edhe një arsenal armësh. Sipas policisë së Krujës, janë sekuestruar 2 automatikë model 56, si dhe 500 fishekë automatiku, shtatë granata difensive, dy granata ofensive, katër granata kundër tanke, fitil zjarrpërcjellës, shtatë copë, të ndarë me një gjatësi 7.4 metra, katër kallëpe tritoli me peshë 200 gr dhe 25 kapsolla detonatore.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›