138 të vrarë në Somali gjatë dy javëve të kaluara
Si pasojë e luftimeve në pjesët qendrore të Somalisë gjatë dy javëve të kaluara janë vrarë 138 persona dhe janë zhvendosur mbi 63 mijë të tjerë, ka theksuar sot një grup për të drejta të njeriut.
Njësitë islamike, Hizbul Islam dhe Al Shabaab, organizatë kjo e cila nga SHBA-ja është cilësuar si bashkëpunëtore e Al Qaidës në rajon, dëshirojnë të imponojnë ligjin islamik në Somali, shtet ky i cili që nga viti 1991 nuk ka pasur qeveri funksionale.
Luftëtarët e këtyre njësive dhe luftëtarët e njësisë pro-qeveritare, Ahlu Valjamace, kanë qenë të përfshirë në përleshjet për të vënë nën kontroll tri qytete në pjesët qendrore të Somalisë.
“Së paku 138 persona janë vrarë, ndërsa mbi 344 të tjerë janë lënduar, gjatë luftimeve që janë zhvilluar gjatë dy javëve të kaluara në pjesët qendrore të Somalisë”, tha Ali Gedi, nënkryetar i grupit për të drejtat e njeriut, Elman.
“Si pasojë e luftimeve mes Ahlu Sunnas në njerën anë dhe Al Shabaabit dhe Hizbul Islamit në anën tjetër, mbi 63 mijë persona janë zhvendosur nga rajonet Galgadud dhe Hiran”, shtoi ai.
Ahlu Sunna, grup ky i lidhur me administratën e dobët të presidentit Shari Ahmed, angazhohet për një version më të moderuar të islamit.