14 Korrik - Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe miraton Kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit (14 - 31 korrik 2008).
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë, më 14 korrik 2008, ora 18:00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 10.07.2008.
3. Miratimi i kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit (14 - 31 korrik 2008).
4. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e rrugëve dytësore dhe vendore.
5. Projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë së brendshme.
6. Projektligji Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it.
7. Projektligji Për një shtesë në ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë.
8. Përgjigje e pyetjeve të deputetit Dritan Prifti nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Në diskutimet jashtë rendit të ditës, deputetët trajtuan çështje të ndryshme, si ndryshimet në kodin zgjedhor, problemet në zonat elektorale, marëdhëniet e qeverisë me biznesin, rritja e çmimit të naftës, zhvillimet në sektorin e bujqësisë etj. Kalendari Trijavor të Punimeve të Kuvendit ngjalli diskutime, ku opozita kërkoi më shumë kohë për shqyrtimin e projektbuxhetit shtesë 2008.
Sipas deputetëve të Grupit Parlamentar Socialist, hyrja e projektbuxhetit shtesë në kalendarin e punimeve, është bërë me afate të përshpejtuara dhe se ky veprim është i papranueshëm për procedurat parlamentare. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se të gjitha procedurat e përfshirjes se projektbuxhetit në kalendarin e punimeve, bazohen në rregulloren e Kuvendit, dhe se buxheti shtesë ka qenë i parashikuar për t'u përfshirë në diskutimet brenda afatit trijavor të punimeve. "Projektbuxheti shtesë është një çështje madhore, pasi ai i vjen në ndihmë të gjithë shqiptarëve, dhe këto para shkojnë në xhepat e tyre. Bëhet fjalë për 300 milion dollarë, që përmirësojnë rrogat, pensionet, infrastrukturën dhe prekin të gjitha shtresat e popullsisë.
Asnjë shqiptar nuk do t'ju mbështeste në kërkesat tuaja, për shtyrje të afateve në shqyrtimin e këtij buxheti shtesë"- iu përgjigj Kryetarja Topalli, deputetëve të opozitës. Në punimet e seancës së sotme, deputetët miratuan projektligjin Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it dhe projektligjin Për një shtesë në ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë. Seanca plenare vendosi që projektligjet Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e rrugëve dytësore dhe vendore, Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Franceze, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë së brendshme" të votohen në seancën e ardhshme, ndërkohë që dhe interpelanca me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të mbahet seancën e ditës së enjte.
Punimet e seancës u mbyllën në orën 20 e 25 minuta.