9 korrik 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon takim me përfaqësues të Ministrisë së Punës Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 9 korrik 2008, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për problemet e minatorëve grevistë.
Ishin të pranishëm në mbledhje Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sula dhe përfaqësuesi i kësaj Ministrie, Astrit Kuka.
Fillimisht u dëgjuan shpjegimet e Zëvendësministrit dhe më tej u vijua me pyetjet e deputetëve. Gjatë shpjegimeve të përfaqësuesve të Ministrisë doli se gjatë negociatave që kishin bërë me përfaqësues të grevistëve, ata kishin dy kërkesa themelore: uljen e moshës së pensionit dhe rritjen e pagës së pensionit. Përfaqësuesit e Ministrisë theksuan se Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nuk është negociatori kryesor në zgjidhjen e këtij problemi. Të tillë janë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave. Pas debateve, u vendos që ditën e hënë më datë 14 korrik 2008, të organizohet një seancë dëgjimore me përfaqësues të tri ministrive. U caktuan dy deputetë për të përgatitur një material, me sugjerime për zgjidhjen e këtij problemi.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).