14 milionë lekë për 5 sportistë
Ministria e Sporteve ka shpërndarë dje 14,5 milionë lekë të reja për pesë sportistët më të suksesshëm të vitit 2007. Kreu i këtij institucioni, Ylli Pango u ka shpërndarë atletëve më të spikatur shpërblimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave dhe diplomat përkatëse. Mundësi Sahit Prizreni ka marrë shpërblimin prej 6 milionë lekësh për medaljen e bronzit të marrë në peshën 60 kg në Kampionatin Botëror. Qitësja Lindita Kodra, e cila është shpallur Kampione e Evropës në këtë disiplinë është shpërblyer me 5 milionë lekë. Të dy sportistët e lartpërmendura janë kualifikuar në olimpiadën "Pekin 2008", duke arritur normat e përcaktuara. 3,5 milionë lekë janë shpërndarë për peshëngritësit Erkand Qerimaj (2 milionë), Gerti Trasha (1 milion) dhe Taulant Çerepi (500 mijë lekë). "Mbështetja e 5 sportistëve më të mirë të 2007-ës dhe trajnerëve të tyre, edhe nëpërmjet shpërblimeve, përbën një shembull të mirë për ruajtjen e reputacionit të mirë që gëzon sporti shqiptar", tha ministri Pango.