E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia trembet prej pezullimit të Shqipërisë

Pezullimi i Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA ka shkaktuar jo pak shqetësime në Itali. Sipas gazetës "Corriere dello Sport", shtyrja pa afat e ndeshjeve të kombëtares Shpresa të drejtuar nga Artan Bushati mund të jetë në disfavor të U-21 "axurre". "UEFA vendosi që të shtyjë pa afat ndeshjen Shqipëri-Greqi, e parashikuar të luhej më 26 mars", citonte gazeta e dytë më e madhe sportive përtej Adriatikut. "Nëse problemet në Shqipëri nuk do të zgjidhen, hipoteza më e mundshme është që përfaqësuesja e 21-vjeçarëve t‘i humbasë tri ndeshjet e radhës (me Greqinë, Kroacinë dhe Azerbajxhanin) 3-0 në tavolinë. Neve (Italisë), që e kemi mundur në të dyja takimet Shqipërinë, na intereson më shumë sfida e tyre me Kroacinë, e cila konkurron me skuadrën e Kaziragit për vendin e parë. Në Grupin 1, shqiptarët nuk kanë qenë për shëtitje: ata kanë 10 pikë, madje mundën kroatët në takimin e parë. Nëse Kroacia fiton 3-0 në tavolinë, situata e Italisë bëhet shumë e vështirë. Edhe më e keqe është hipoteza e dytë: të gjitha ndeshjet e Shqipërisë U-21 anulohen, Italia humbet gjashtë pikë dhe Kroacia ngjitet në vendin e parë në grup me 18 pikë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›