20 klube kërcënojnë se do të bojkotojnë kampionatin
Futbolli shqiptar ndodhet në kaos. Përveç "luftës" FSHF-Ministri e Sporteve, situata është tensionuar edhe nga drejtuesit e klubeve, të cilët kërkojnë largimin e presidentit të federatës, Armand Duka. Pas gjashtë skuadrave të Kategorisë Superiore, të cilat kanë firmosur të parat kërkesën për largimin e tij, tashmë në total ato janë 20. Iniciativën e ndërmarrë nga donatori i Tiranës, Refik Halili, presidenti i Partizanit, Albert Xhani, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, presidenti i Elbasanit, Arben Laze, presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, dhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, e kanë mbështetur edhe 14 klube të tjera. Bie në sy fakti që nga elita e futbollit në vend është vetëm Kastrioti, ndërkohë që të gjitha klubet e tjera militojnë në Kategorinë e Parë dhe në kategoritë më të ulëta. Duke qenë se ndeshjet e kampionatit janë parashikuar që të luhen këtë të shtunë, klubet kanë hequr dorë nga ultimatumi për zgjidhjen e konfliktit (edhe sepse pas dështimit të takimit të djeshëm Pango-Duka nuk ka më kohë fizike). Tashmë, 20 klubet kërkojnë largimin e presidentit të FSHF-së, në të kundërt kërcënojnë se do të bojkotojnë kampionatin.
Pavarësisht kërkesës, në institucionin që drejton futbollin duken të palëkundur. Aty janë të bindur se klubet (ose të paktën pjesa më e madhe e tyre) do të ndryshojnë sjellje, për të mos e agravuar edhe më tej situatën. Gjithsesi, federata gëzon edhe mbështetjen e FIFA-s në këtë moment: kërkesa për largimin e Armand Dukës është cilësuar si një tjetër manovër e Ministrisë së Sporteve. Kjo pasi gjatë ditës së deklaratës së parë, disa nga drejtuesit e gjashtë klubeve elitare janë parë të hyjnë dhe të dalin në ambientet e MTKRS-së. Nëse klubet do ta vazhdojnë deri në fund kërcënimin, pra nuk do të zbresin në fushë, atëherë direktivat e FIFA-s janë të merren masa sipas rregullores: në ndeshjen e parë humbje në tavolinë dhe -3 pikë në renditje dhe nëse bojkoti vazhdon edhe në javën pasardhëse, atëherë skuadrat rrezikojnë të përjashtohen.
Kërkojnë largimin e Armand DukëS
1. Refik Halili (Tirana)
2. Albert Xhani (Partizani)
3. Valter Fushaj (Vllaznia)
4. Xhavit Ismaili (Shkumbini)
5. Nexhat Bizhdili (Besa)
6. Arben Laze (Elbasani)
7. Ramazan Ndreu (Shefi i klubit Kastrioti)
8. Dalip Rrustemaj (Veleçiku)
9. Mark Gjoni (ADA)
10. Isa Zenuni (Përparimi)
11. Dhurim Alinani (Delvina)
12. Mark Kolaj (Minatori)
13. Besnik Kapllanaj (Bylis)
14. Pëllumb Bodeci (Memaliaj)
15. Thanas Gjata (Bilisht Sport)
16. Astrit Çaushi (Këlcyra)
17. Agim Ypi (FK Përmeti)
18. Kostandin Zoro (Butrinti)
19. Naim Qorri (Dajti)
20. Roland Gaba (Tepelena)