E Shtunë, 31 Tetor 2026

14 minuta per te marre certifikaten e makines

Kryeministri Sali Berisha kërkon nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor të përcaktojë modele të reja për testin e marrjes së patentës. Shkak i këtij qëndrimi ka qenë numri i lartë i aksidenteve, çka detyroi kryeministrin të deklarojë se patentën duhet ta marrin ata që dëshmojnë se dinë ta përdorin shumë mirë automjetin. Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë sistemit të ri dixhital të informacionit të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.

“Provat duhet të jenë ndër provat më serioze sepse këto kanë të bëjnë me jetën. Kanë të bëjnë me jetën në një vend ku tradita e drejtimit është gjithsej 15- 16 vjeçare. Pra, qytetarët e këtij vendi nuk kanë një trashegimi në shprehitë e drejtimit dhe plus disa faktorë të tjerë na bëjnë ne vend me numër të lartë aksidentesh”- tha Berisha.

Me sistemin e ri të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, çertifikata e pronësisë së automjetit nga 45 ditë, do të merret brenda 14 minutave. Po kaq minuta duhen edhe për rregjistrimin e automjetit. Brenda pak minutave,  Drejtoria e Shërbimit Rrugor do të grumbullojë të dhënat nga doganat, Interpoli dhe policia e shtetit dhe në rast se automjeti është i rregullt, atëherë procedura përfundon brenda afateve.

Që prej ditës së hënë, nëpërmjet këtij shërbimi, targat e automjeteve do të merren brenda 15 minutave. Aktualisht numri i dokumentave për marrjen e targave të automjeteve nuk ka ndryshuar, por së shpejti pritet reduktimi i numrit të tyre, si vërtetimi i adresave  dhe heqja e dokumentit të doganave.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›