14 prill 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin për komunikimet elektronike, si dhe propozimin për një anëtar të ERE-s Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 14 Prill 2008, vazhdoi shqyrtimin e projektligjit Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe shqyrtoi Propozimin e Ekipit Përzgjedhës, për emërimin e një anëtari të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike (ERE). Gjatë shqyrtimit të çështjes së parë të rendit të ditës, ishin të pranishëm, në specialistja e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Alketa Mukavelati, përfaqësuesit e ERT-së dhe përfaqësuesit e kompanisë celulare Vodafone.
Deputetët diskutuan mbi formalitetin e propozimeve të paraqitura nga ERT-ja dhe mbi domosdoshmërinë e pranisë së përfaqësuesve të të gjitha shoqatave të telekomunikacioneve. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni vendosi ta vazhdojë shqyrtimin e projektligjit në mbledhjen e nesërme, ku do të jenë të ftuar, Kryetari i Bordit Drejtues të ERT-së dhe përfaqësuesit e shoqatave të operatorëve të telekomunikacionit. Për çështjen e dytë, meqenëse në Bordin e Komisionerëve të Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike ka mbetur vakant një vend për anëtar të këtij Bordi, pasi zotit Adriatik Bego i ka përfunduar mandati, Ekipi Përzgjedhës, për të plotësuar Bordin e Komisionerëve të ERE-së, në bazë të nenit 4 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003, të ndryshuar, ka propozuar zotin Abaz Aliko për anëtar të Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike. Komisioni, pasi diskutoi kandidaturën e propozuar, u shpreh me shumicë votash pro propozimit të Ekipit Përzgjedhës. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).
Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskuton raportin e veprimtarisë së vitit 2007, të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare Në mbledhjen e datës 14 prill 2008, Komisioni për Ekonominë dëgjoi dhe diskutoi raportin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, të mbajtur nga Kryetarja e këtij institucioni, Elisabeta Gjoni. Në fjalën e mbajtur, znj. Gjoni theksoi se veprimtaria e AMF-së drejtohet nga: garantimi dhe mbrojtja e interesave të investitorëve, të siguruarve dhe publikut në tërësi.
Vitin 2007, AMF-ja e konsideron si vit të sigurimeve në Shqipëri, për zhvillimet dhe ngjarjet e veçanta që pati ky treg. Gjatë monitorimit të këtij tregu, problemet e evidentuara nga analizat, janë: raporti i ulët dëme/prime, shpenzimet e larta administrative dhe efektiviteti i ulët i kapitalit. Gjithashtu, janë hartuar dhe miratuar akte nënligjore në këtë fushë, si dhe një projekt për zhvillimin e platformës informatike të raportimit të AMF-së, që pritet të fillojë brenda vitit 2008, e cila do të garantojë komunikime të shpejta me operatorët dhe kapacitete të larta të analizës, të ngjashme me vendet e zhvilluara të Europës. Vëmendje patën sigurimet e detyrueshme motorrike, duke qenë se ato mbajnë një peshë mbi 65% në strukturën e tregut të sigurimeve. Niveli i dëmeve të paguara është larg pritshmërisë së publikut.
Fusha të tjera të këtij institucioni janë edhe sektori i pensioneve dhe letrat me vlerë. Në sektorin e pensioneve, AMF-ja është duke hartuar një projektligj të ri për pensionet private suplementare. Ndërsa në sektorin e letrave me vlerë, AMF-ja ndikoi në zgjerimin e këtij tregu, duke zgjeruar tregun dytësor, i cili kufizohet vetëm në letrat me vlerë të Qeverisë.
Deputetët në fjalët e tyre u përqendruan kryesisht në tregun e sigurimeve, si një nga fushat më të rëndësishme dhe më të prekshme nga publiku. Ata vlerësuan punën e bërë nga ky institucion, megjithëse i ri dhe e siguruan për mbështetje të mëtejshme.
Komisioni do t`i paraqesë seancës plenare një projektrezolutë, ku do të vlerësojë punën e këtij institucioni dhe rekomandimet për punën e mëtejshme të tij. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 23 46 12.) Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .