9 prill 2008
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrton projektligjin për sistemin parauniversitar Në mbledhjen e datës 9 prill 2008 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vazhdoi diskutimin e projektiligjit Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 7952, datë 21.6.1995 Për sistemin arsimor parauniversitar, të ndryshuar, në prani të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, zotit Genc Pollo. Ministri Pollo vuri në dukje rëndësinë e institucionalizimit të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, nëpërmjet këtij projektligji, i cili, me karakterin e tij këshillimor, do të ndihmojë në hartimin e politikave të zhvillimit të arsimit parauniversitar. Ai do të konsultojë hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare për zhvillimin e arsimit të këtij niveli, reformën e kurikulave dhe hartimin e teksteve shkollore, përgatitjen e akteve ligjore etj. Në dobi të produktivitetit të këtij Këshilli do të jetë edhe përbërja e tij, me përfaqësues figura të njohura për kontributin e tyre në fushën e arsimit, si dhe përfaqësues të disa ministrive dhe të qeverisjes vendore, të cilët kanë lidhje direkte me zhvillimet e arsimit parauniversitar. Pasi dëgjuan shpjegimet e Ministrit, anëtarë të Komisionit Parlamentar, përfaqësues të pozitës dhe opozitës, bënë pyetje dhe shprehën obsionet e tyre në lidhje me projektligjin, të cilat, pas diskutimit nen për nen, u pasqyruan në Rezolutën e Komisionit, që do të paraqitet në seancën plenare të Kuvendit, të datës 10 prill. Më pas, u vazhdua me një informacion të dhënë nga këshilltari për median pranë Komisionit, Idar Bistri, mbi ecurinë e punës për hartimin e draftit të ri për median elektronike, në kuandrin e përafrimit të legjislacionit me BE-në.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: +355 4 27 82 96). Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin për mbrojtjen e konsumatorëve
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 9 prill 2008, shqyrtoi projektligjin Për mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Elvis Sejdia dhe Mamica Dhamo, përfaqësuesit e Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani dhe Fatmira Biçaku.
Fillimisht, deputetët dëgjuan relatorin e Komisionit për këtë projektligj, deputetin Sami Gjergji, përfaqësuesen e Ministrisë dhe më pas, përfaqësuesin e Shoqatës së Konsumatorëve. Ata theksuan se me anë të këtij projektligji janë pasqyruar një sërë direktivash të BE-së të fushës së mbrojtjes së konsumatorëve, të detyrueshme në kuadër të MSA-së. Qëllimi i tij është mbrojtja e konsumatorëve, përcaktimi i rregullave dhe ngritja e institucioneve përkatëse për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakord në parim për kalimin e këtij projektligji për miratim në seancë plenare. Gjatë shqyrtimit nen për nen, u shqyrtuan tridhjetë nenet e para, gjatë të cilave u bënë disa vërejtje. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit do të vijojë në mbledhjen e ardhshme.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskuton raportin e veprimtarisë së vitit 2007, të Kontrollit të Lartë të Shtetit Në mbledhjen e datës 9 prill 2008, Komisioni për Ekonominë mori në raport veprimtarinë e vitit 2007, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, raport që u mbajt nga Kryetari i këtij institucioni, z. Robert Çeku.
Zoti Çeku, në fjalën e tij, paraqiti në mënyrë të përmbledhur aktivitetin e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë vitit 2007, duke përmendur bazën ligjore ku mbështetet ai, detyrat dhe të drejtat, shtrirjen e veprimtarisë kontrolluese, metodologjinë e kontrollit, programimin e kontrolleve, hartimin e tematikave të tij, llojet e kontrolleve dhe subjektet e kontrolluara.
Vlera e dëmit ekonomik gjatë vitit 2007 llogaritet në 6.059.325 lekë dhe janë arkëtuar 41.4% e tij, kundrejt vlerës së rekomanduar për zhdëmtim. Ai theksoi Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2006 dhe rekomandimet e lëna në të dhe vuri në dukje se, nga masat e marra, përqindja e realizimit të masave të rekomanduar në vitin 2007 nga Kuvendi është rritur, në krahasim me atë të realizuar në vitin 2006. Gjithashtu, ai vlerësoi mbështetjen që Kuvendi i dha KLSH-së në miratimin e buxhetit të vitit 2008, duke mbështetur projektbuxhetin e tij (duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave).
Deputetët i drejtuan pyetje zotit Çeku dhe diskutuan rreth kontrolleve të kryera, subjekteve se si përzgjidhen, dëmit të vlerësuar dhe masave të lëna dhe të zbatuara nga subjektetet e kontrolluara.
Në fund të diskutimit, Komisioni i dha vlerësim pozitiv aktivitetit të KLSH-së dhe e miratoi raportin, duke e siguruar për mbështetjen e mëtejshme të tij ndaj këtij institucioni.
Gjithashtu, Komisioni bëri rekomandime të cilat do t`ia paraqesë seancës plenare në një projektrezolutë. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 23 46 12). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .