16 prill 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin për mbrotjen e bimëve Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 16 prill 2008, shqyrtoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9362, datë 24.3.2005 Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve.
Gjatë shqyrtimit, ishin të pranishëm specialistët e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Kristaq Nica dhe Ismet Bici.Ata shpjeguan se synimi i këtij projektligji është pasqyrimi i disa ndryshimeve në emërtesa, të cilat vijnë si rezultat i riorganizimit të strukturave të bujqësisë në të gjithë vendin dhe i strukturave të shërbimit të mbrojtjes së bimëve. Projektligji trajton konceptin e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, që miratohen nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, pas vlerësimit të bërë nga laboratorët e referencës.
Projektligji shton edhe dy terma të reja PMB të rrezikshme dhe PMB me rrezik të lartë, të klasifikuara sipas direktivës 92/32/EC, si dhe trajton importimin, tregtimin dhe përdorimin e PMB-ve. Ai gjithashtu parashikon që përdorimi i PMB-ve me rrezik të lartë, të kryhet nga përdorues profesionistë me qëllim pakësimin e efekteve të dëmshme nga përdorimi i tyre.
Projektligji synon përmirësime edhe për licencat, lejet dhe autorizimet e lëshuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakort në parim me projektligjin. Gjatë shqyrtimit nen për nen, Komisioni bëri këto vërejtje: Pas nenit 4, të shtohet neni 4/1: Në nenin 21 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: Në Republikën e Shqipërisë regjistrohen vetëm PMB-të, të cilat janë të regjistruara në vendet e Bashkimit Europian. Pas nenit 8, të shtohet neni 8/1 me këtë përmbajtje:Ngarkohet Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të bëjë rivlerësimin e regjistrimeve të PMB-ve të kryera, sipas kërkesave të parashikuara në këtë ligj. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .
...