2 prill 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton ndryshime në projektligjin për dhomat e tregtisë dhe propozimin e ERT-së Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e tij të datës 2.4.2008, shqyrtoi: 1. Projektligjin Për një ndryshim në ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, Për dhomat e tregtisë dhe industrisë.
2. Propozimin për kategorizimin e pozicioneve të punës përgjegjës/shef sektori dhe specialist në ERT. Gjatë shqyrtimit të projektligjit të parë, ishte i pranishëm specialisti i METE-s, Bashkim Sykja. Ai shpjegoi se ndryshimi i propozuar synon që anëtarësimi në dhomat e tregtisë të bëhet në mënyrë vullnetare, me qëllim që biznesi të anëtarësohet në një dhomë tregtie, vetëm nëse e sheh me interes anëtarësimin për veprimtarinë e tij e nëse dhoma i ofron shërbimet, për të cilat ai ka nevojë.
Heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të ketë ndikim pozitiv në performancën e dhomave të tregtisë, duke qenë se do të shtohet konkurenca mes saj dhe shoqatave që përfaqësojnë biznesin.
Gjithashtu, projektligji parashikon që masën e kuotës së anëtarësisë nuk do ta miratojë më organi mbikqyrës, duke rritur kështu autonominë e dhomave të tregtisë. Dhomat janë subjekte që vetëfinancohen dhe ndryshimi i propozuar nuk do të ketë ndikime në buxhetin e shtetit.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakord për kalimin e këtij projektligji për miratim në seancë plenare.
Gjatë shqyrtimit të propozimit të ERT-së ishin të pranishëm: përfaqësuesi i ERT-së, Gazmir Isakaj dhe përfaqësuesja e DAP-it, Entela Dudushi, të cilët shpjeguan se ERT, në zbatim të ligjit nr. 9584 datë 17.7.2006 Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj, pas një konsultimi me Departamentin e Administratës Publike, ka paraqitur propozimin Për një ndryshim në Vendimin nr. 97, datë 30.4.2007 të Kuvendit së bashku me Lidhjen nr.2 të ndryshuar.
Komisioni pasi u njoh me shpjegimet e specialistëve, u shpreh dakord për miratimin e këtij propozimi në seancë plenare. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93). Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .