E Shtunë, 31 Tetor 2026

"14 shtatori", 11 vjet nga revolta antishtet

Edhe pse kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet nga "14 shtatori" i vitit 1998, kur ceremonia e varrimit të deputetit të vrarë të PD-së, Azem Hajdari, u shndërrua në sulm kundër institucioneve të shtetit, të cilat u pushtuan brenda dy orësh, asnjë prej 25 të akuzuarve nuk ndodhet në qeli. Në Gjykatën e Tiranës janë zhvilluar tri procese gjyqësore kundër "kryengritësve", "badigardëve" dhe "gazetarëve". Zvarritja e çështjes nga ana e gjykatës dhe prokurorisë, bëri që ndaj të tre grupeve të të pandehurve, të skadonin afatet e paraburgimit dhe të gjithë të përfundonin të lirë (me përjashtim të Izet Haxhisë, i cili ndodhet në burgjet turke për një çështje tjetër). Në një hark kohor prej tetë vitesh, drejtësia shqiptare nuk ka mundur t‘i japë zgjidhje kalvarit të gjatë të proceseve gjyqësore, duke sjellë edhe lirimin e të gjithë të pandehurve. Kjo ka ndodhur edhe pse ata janë të akuzuar për një vepër penale që parashikon dënimin jo më pak se 15 vjet burg dhe që shkon deri në maksimumin "burg përjetë". Çështjet në ngarkim të tre grupeve të të akuzuarve për "14 shtatorin" ndodhen në duart e gjyqtarëve të kryeqytetit, ndërsa prej pesë vitesh nuk është zhvilluar asnjë seancë në ngarkim të tyre. Mbi 5000 e ca seanca gjyqësore janë zhvilluar, duke mos gjetur fajtorët e kryengritjes. Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë tri dosje për "14 shtatorin" me 25 të pandehur. Ata akuzohen për "kryengritje". Sipas nenit 221: "Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndaluar forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave... krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet". Ndërsa marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, të vetmit viktima të "drejtësisë" ndaj kësaj ngjarjeje ishin tankistët e ushtarët e Gardës, për të cilët gjykata mbaroi procesin në kohë rekord e akordoi dënime nga disa muaj, deri në më shumë se pesë vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›