E Diel, 1 Nëntor 2026

Minat me sahat në Gërdec përplasën prokurorinë me Mediun

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzoi disa ditë më parë Prokuroren e Përgjithshme se nuk e kishte vlerësuar siç duhet një informacion nga Policia e Shtetit që fliste se shpërthimi në fabrikën e Gërdecit mund të kishte ndodhur nga vendosja e dy minave me sahat. Por prokuroria i është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se shpërthimi kishte ndodhur nga saldimi i një karroce. Mediu pretendonte se në dosjen hetimore ekziston edhe një dokument konfidencial i drejtorit të Policisë së Shtetit në të cilin thuhet për dy mina me sahat të vendosura në ambientet ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm. "Ǒmund të them unë për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili nuk vlerëson një material konfidencial i ardhur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili thotë se janë vendosur dy mina me sahat në Gërdec; një material i cili mund të qëndrojë dhe të mos qëndrojë, por që në fund është një material bazë, i cili duhet t‘i bëjë njerëzit të gjykojnë realisht për atë që nuk është interesi i Fatmir Mediut, por interesi i sigurisë së këtij vendi. E para, kam dhënë dorëheqjen menjëherë pasi kam marrë të gjitha masat që të shmangeshin situatat qe ishin atje. E dyta, kam lëshuar imunitetin dhe kam deklaruar që ditën e parë që nuk kam nevojë për imunitet dhe se çështja duhet t‘i shkojë drejtësisë", tha Mediu në prononcimin publik në një televizion privat disa orë pasi Kryeministri Berisha kishte nxjerrë emrat për anëtarë të qeverisë së re, midis të cilëve edhe atë vetë, duke e emëruar në postin e ministrit të Mjedisit. Ndërkohë, prokuroria reagoi duke këmbëngulur se shkaku i ngjarjes së Gërdecit është i pasqyruar në kërkesën për gjykim, e cila ka ardhur si pasojë e një pune njëvjeçare të prokurorisë, teksa ka verifikuar të gjitha informacionet që vinin nga institucionet e drejtësisë. "Në përgjigje të diskutimeve në media në lidhje me shkaqet e ngjarjes së 15 marsit në Gërdec, prokuroria sqaron se qëndrimi i saj në lidhje më këtë çështje është i prezantuar në kërkesën për gjykim, e cila është rezultat i hetimit të plotë dhe të gjithanshëm", deklaruan burimet zyrtare nga akuza qendrore. Në kërkesën për gjykim janë pasqyruar në një paragraf arsyet e shpërthimit, teksa ekspertët amerikanë, përcaktuan se vatra e zjarrit që solli shpërthimin e mbetjeve të municioneve që demontoheshin në fabrikë kishte ardhur si pasojë e saldimit të një karroce dore, ku transportohej baruti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›