E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 700 kërkesa për 180 vende mësuesish

Rritja e rrogave të arsimtarëve në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit e ka kthyer profesionin e mësuesit në mjaft të pëlqyer. Kërkesat për punësim në këtë sektor janë shtuar ndjeshëm në Durrës. Madje, diçka që mund të tingëllonte paradoksale deri një vit më parë, tani duket realitet. Ka emigrantë, por edhe punonjës të administratës publike, që kanë aplikuar për një vend pune në arsim, duke e parë atë si një mundësi shumë të mirë për ta zhvendosur jetën e tyre sërish në atdhe.

700 aplikime për mësues

Drejtuesja e Arsimit Rajonal në Durrës, Ermira Bllani, thotë se këtë vit janë 700 punëkërkues në arsim, mes të cilëve ka edhe emigrantë. Pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës kanë aplikuar edhe ish-mësues në profesion, të cilët zgjodhën emigracionin si një mundësi për të siguruar një jetesë më të mirë përtej Adriatikut. Ndryshimet në vlerësimin financiar dhe kriza ekonomike që ka përfshirë Europën dhe më gjerë ka bërë që jo pak arsimtarë emigrantë të kthejnë sytë nga profesioni i vjetër. Nuk ngelen pas as punonjësit e administratës publike, të cilët kanë nisur ta shohin arsimin si një vend "pëllumbash". Vetëm këtë vit të ri shkollar DAR Durrës është përballur me 700 kërkesa të reja për vende pune, ndërsa nevojat janë më të pakta. Me synimin për t‘i mbajtur të diplomuarit në vend dhe në bazë të dy vendimeve të Ministrisë së Arsimit, në Durrës 180 mësues që kanë arsim të cunguar, jo universitar, po vetëm të mesëm pedagogjik kanë kaluar me kontratë provizore, duke u dhënë mundësi më shumë të papunëve të diplomuar për të dhënë kontributin e tyre në arsim. Në DAR thuhet se mësuesit pa arsimin përkatës do të largohen dalëngadalë nga sistemi arsimor, ndërsa do të mbështeten ata që janë në prag të pensionit. Bllani shprehet se kërkesat për punë në arsim janë më të mëdha se vendet që ofrohen, megjithatë po bëhen përpjekje për të mos lënë më të mirët të largohen jashtë vendit, ndërsa të tjerë që e provuan atë rrugë kërkojnë të rikthehen.

Viti i ri

Ndërkohë, gjithçka është bërë gati në Durrës për hapjen e dyerve të shkollave sot. 4590 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës në këtë vit në Durrës, ndërsa afro 42 mijë nxënës do të ndjekin arsimin e detyruar përgjatë këtij viti. Dyert do të çelen në pothuajse të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit, ku nuk mungojnë dhe të mesmet profesionale, të cilat sjellin në qytet edhe nxënësit konviktorë. E vetmja shkollë që është lajmëruar se do t‘i çelë dyert e saj me 2 javë vonesë, "me bekimin" e Ministrisë së Arsimit, është shkolla e bashkuar e Katundit të Ri. Këtë vit konstatohet një rritje e lehtë në numrin e të regjistruarve në shkollat jopublike. Ndërkohë, në shkollat publike edhe këtë vit nuk do të mungojë fenomeni i shkollës me turne, për shkak të numrit të madh të nxënësve në ndonjë shkollë dhe rikonstruksionit të godinave.

Emërimet

Ndërkaq në jo pak drejtori shkollash janë bërë emërime të reja, të cilat kanë ardhur menjëherë pas rokadës në krye të Drejtorisë së Arsimit Rajonal. Sipas DAR-it, lëvizjet janë bërë për të forcuar rolin e drejtuesit në shkolla dhe siguruar menaxherë të mirë në drejtimin e atyre që kanë më shumë se 900 nxënës. Megjithatë, shumë prej këtyre lëvizjeve komentohen si të udhëzuara mbi baza miqësish dhe përfshirjes politike të të emëruarve në fushatën e fundit elektorale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›