E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Baci Faik’ pëlqehet në ArtBreak

Web-faqja e njohur e artit, ArtBreak, në të cilën shumë artistë botërorë i ekspozojnë pikturat, vizatimet dhe fotografitë e tyre, përfshirë edhe instilacionet dhe performansat, ka pëlqyer shumë veprën e artistit kosovar, Faik Imeraj, “Baci Faik”. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 09:23

Pra disa muajsh Imeraj pati një ekspozitë edhe në Galerinë Open Art, në Prishtinë, ku prezantoi portrete që shprehnin anën e brendshme të shumë individëve që jetojnë në mesin tonë.

Punimin “Side View”, piktori vendosi ta prezantojë edhe në ArtBreak (http://www.artbreak.com/bacifaik), ndërkaq përgjegjësit e kësaj web-faqeje atë e shpallën si më të thellin dhe më të realizuarin nga mijëra veprat e artit postmodern. Në punim dominon një portret, me shikim në anë të djathtë, i punuar me vija të thella impresive dhe ekspresive.

Për autorin, është kënaqësi e madhe kur pëlqehet një vepër e tij, dhe kur ajo zgjidhet si më e mira.

“Është kënaqësi kur shoh shumë pëlqime dhe komente të shkruara nga vizitorët e ndryshëm e kësaj web-faqeje nga e gjithë bota. Përzgjedhja e punimit si më i pëlqyeri nga mijëra spektatorë ishte një moment i lumtur për mua”, shprehet Imeraj.

Ndryshe, Imeraj njihet më shumë për portretet ngacmuese, me nuanca të ndryshme shpirtërore. E veçanta e tyre është se asnjëri nuk ngjan me tjetrin, sepse secili nga thellësia shpreh atë anën e veçantë, gjithnjë duke u ndikuar edhe nga e jashtmja.

Portretet e ekspozuara para disa muajsh në Prishtinë, kanë zgjuar kureshtje të madhe të artdashësve, ngase pasqyronin veçantinë e tyre krijuese nga dora e mjeshtrit Imeraj, i cili arrin të thyej shabllonet e portreteve. Portretet janë impresioniste dhe ekspresioniste, përderisa në planë të parë është vija e lakuar, në disa raste edhe e drejtë, e shoqëruar me dritëhije.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›