‘Festa e Abetares’ në Vushtrri

Nxënësit e klasës së parë të shkollës ‘Mustafë Venhari” në Vushtrri, në ‘festën e Abetares’ treguan dashurinë e tyre për shkronjat dhe shkollën. Para mësuesve dhe prindërve, ata treguan se përveç që i mësuan shkronjat edhe mësuan t’i lidhin ato.
Mësuesja Melihate Jonuzi tha se ‘festa e Abetares’ është dita më e madhe e fëmijëve.
“Sot bashkë të nderojmë ditën më të madhe të këtyre fëmijëve, dritaren e parë të njohjes së diturive, festën e abetares. Pas gati një vit përkushtim këta filiza të vegjël u shndërruan në kërkues të një thesari shumë të madh. Zhurmën e tyre e shndërruan në shkronja, cicërimën në tinguj, dhe prej 36 shkronjave të alfabetit të bukur formuan të gjithë nga një dëshirë. Shkolla jonë si gjithnjë është duke i kushtuar kujdes të veçantë shkathtësive të komunikimit, kulturës e gjuhës, artit, leximit e gjithnjë në qendër të të mësuarit”, ka thënë ajo.
Fëmijët të përkushtuar më shumë se kurrë, ishin të kujdesshëm edhe të mos gabonin. Por, kur u ndodhte kërkonin falje, duke premtuar që do mësohen të mos gabojnë.
Mësuesja e tyre gjithë këtë arritje ua atribuon edhe prindërve të fëmijëve.
“Kjo falë përkushtimit tonë maksimal dhe tuajit prindër, që me fjalët tona të ëmbla arritëm t’i mbajmë afër gjithnjë këta fëmijë duke ua dhënë atë që për ta është më e nevojshme, dëshirën dhe nevojën individuale, prandaj këtu sot me A të madhe tregojnë të arriturat e tyre, e me ZH të madhe të shtypit tregojnë zhvillimin e shprehive të të menduarit e të shkruarit. Këta fëmijë sot janë në gjendje të mendojnë jo vetëm me fjalë por edhe me përrallëza, sot këta fëmijë mund të shkruajnë vargjet më të bukura në ditarët e tyre të jetës, të këndojnë dashurinë për prindërit, mësueset e shkollën”, ka thënë ajo.
Këta fëmijë festuan ‘festën e Abetares’, pas gati një viti duke mësuar shkronjat, që do t’i përcjellin gjithë jetën. /kosovapress/