‘Norvegjezi’ që ndihet kosovar

Talenti kosovar Valon Berisha, të dielën (sot) pritet të debutojë në fanellën e Kombëtares A të Norvegjisë, në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, e cila do të zhvillohet në Tajlandë.
Por 18-vjeçari, i cili ka lindur në Suedi, nuk e ndien veten norvegjez, edhe pse ka nënshtetësi të Norvegjisë dhe do të luajë për përfaqësuesen e këtij vendi.
“Unë kam një pasaportë norvegjeze, por brenda ndjej se unë nuk jam norvegjez. Unë i kam prindërit që vijnë nga Kosova”, ka thënë anëtari i ekipit norvegjez Viking për TV 2.
Berisha nuk është lojtari i vetëm i huaj që do ta bartë fanellën e Norvegjisë. Aty janë edhe dy anëtarët e Valerengës, marokeni Mohammed Fellah dhe indiani Harmeet Singh.
Derisa këta dy të fundit mund të zgjedhin përfaqësueset e vendlindjes, Berisha është i vendosur që për momentin të vazhdojë të luaj për Kombëtaren norvegjeze.
“Ka pasur disa pyetje nëse unë luaj me të vërtetë për Kosovën. Tani për tani unë kam emrin e Norvegjisë në kokë dhe unë do të luajë për ta”, ka thënë Berisha, i cili ka luajtur nga grupmosha U-17 deri në ekipin U-21 të këtij vendi.
Sezonin e kaluar, Berisha pati paraqitje të shkëlqyeshme me skuadrën e Vikingut në elitën e futbollit norvegjez. Sipas medieve të këtij vendi, talenti i Berishës nuk ka qenë vështirë të vërehet.
Tani kosovari shpreson se udhëtimi në Tajlandë, jo vetëm që do të ofrojë një debutim në ekipit kombëtar, por edhe golin e tij të parë për Kombëtaren A të Norvegjisë.
“Ka rëndësi shumë të madhe të shënojë për këtë vend. Do të ishte një ndjenjë shumë e mirë”, përfundoi ai.
Kombëtarja norvegjeze, është grumbulluar në Tajlandë për të parë nga afër disa talentë të rinj norvegjez, në mesin e tyre edhe Valon Berisha.
Gjatë këtij grumbullimi, do të zhvillohet edhe një turne, ku përveç Norvegjisë do të marrë pjesë edhe Danimarka, Koreja Jugore dhe nikoqiri Tajlanda.