E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studiohet truri i Messit

Truri i yllit të Barcelonës, Lionel Messi është shndërruar në objekt studimi të Universitetit Radboud në Nijmegen. Doktori Pieter Madendorp thotë se dëshiron të zbulojë se si argjentinasi arrin me aq shpejtësi të marrë vendimet e tij në fushë.

Një universitet holandez do të studiojë trurin e yllit argjentinas, Lionel Messi për të mësuar se në çfarë mënyre ai arrin me aq shpejtësi të marrë vendimet e tij në fushë.

Edhe këmbët e tij do të analizohen, por është ajo që gjendet brenda trurit do të zgjojë kureshtjen më të madhe. Truri i Messit është shndërruar në objekt studimi. Këtë do ta bëjë mjeku holandez, Pieter Medendorp nga Universiteti Radboud në Nijmegen.

“Do të mundohemi të mësojmë se si Messi merr vendime brenda një fraksioni të sekondës dhe si vendoset për një gjë për dallim nga alternativat e tjera. Truri nuk është një kompjuter, por analizon probabilitetin. Të gjithë futbollistët e tjerë duket se marrin vendime pa menduar, në lëvizje të momentit, por në fushë Messi vendos që të godasë topin, t’u shmanget kundërshtarëve apo të vazhdojë vrapin në një çast. Dhe ne duam që të verifikojmë se si e bën dhe me çfarë shpejtësie e jep komandën truri i tij”, thekson Medendorp.

E përkrahur nga 1.5 milion eurot nga NWO-ja, organizatë për hulumtime shkencore, studimi do të shërbejë për përmirësimin e metodave të diagnozës në mjekësi. Mbetet të shihet nëse këto analiza do të jenë në gjendje të zbulojnë “sekretet”e futbollistit më të mirë në botë.

Adidasi, këpucë speciale për Messin

Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi ka këpucë speciale sportive. Ato i ka bërë enkas për të, kompania e veshmbathjeve sportive, Adidas, në nderim për tre Topat e Artë me radhë të fituar nga ylli argjentinas.

Bëhet fjalë për këpucë të bardha me ngjyrë ari, të cilat janë prodhuar enkas për sulmuesin e Barcelonës.

Këpucët kanë të shënuara vitet kur Messi fitoi Topin e Artë (2009, 2010, 2011), logon personale të futbollistit, mbishkrimin ‘FIFA Topi i Artë, Futbollisti më i mirë i vitit’ dhe ‘gracias a todos’ (ju faleminderit të gjithëve). Messi, këpucët në fjalë mund t’i përdorë të dielën në ndeshjen e xhiros së 19-të në La Liga, kundër Real Betisit në Nou Camp.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›