Parisi brazilian

Klubi ambicioz francez, Paris Saint-Germain ka filluar të marrë frymë braziliane. Skuadra nga kryeqyteti francez e ngriti në 90 milionë euro faturën e shpenzimeve të saj nga vera e vitit të kaluar duke transferuar në mesjavë nga Barcelona mbrojtësin e majtë, brazilianin Maxwell.
30-vjeçari u bë përforcimi i parë i trajnerit të ri, Carlo Ancelotti. Strategu italian i ka bërë të qarta synimet e tij që PSG-në ta shndërrojë në një skuadër sulmuese dhe atë duke filluar nga prapa. Duke konsideruar se është brazilian dhe ka luajtur tri sezone në Barcelonë, kjo nuk pritet të paraqesë problem për Maxwellin.
Por, një fakt edhe më interesant është ai se PSG përveç Maxwellit deri më tani gjatë këtij afati kalimtar të janarit ka shprehur interesim – deri më tani pa sukses – për plot gjashtë futbollistë brazilianë.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato ishte në prag të transferimit në PSG. Klubet thuhej se kishin arritur marrëveshje mes vete për kalimin e Patos në Francë për rreth 35 milionë euro, mirëpo në momentet e fundit, braziliani refuzoi të largohet nga San Siro. Mesfushori i Real Madridit, Leite Kaka po ashtu përmendet si objektiv i PSG-së.
Sulmuesi Ronaldinho ka kërcënuar klubin e tij, Flamengo me largim nga klubi nëse nuk merr pagën e muajve të kaluar. Nëse largohet, PSG-ja e mirëpret atë. Dyshja e Interit, mesfushori Thiago Motta dhe mbrojtësi i djathtë, Maicon po ashtu spekulohet se mund të transferohen në PSG, nëse jo tani gjatë janarit, atëherë në fund të këtij sezoni.
Kurse, dështimi për transferimin e Patos ka hapur rrugë për një sulmues tjetër të talentuar, sigurisht brazilian. Bëhet fjalë për sensacionin e ri të Internacionalit, Leandro Damiao. Maxwell në PSG, iu bashkua futbollistëve të tjerë brazilianë, Nene dhe Ceara.
Ai u bë njëri prej aktualisht pesë futbollistëve nga Amerika e Jugut, së bashku me mesfushorin Javier Pastore – përforcim rekord i PSG-së prej 42 milionë eurosh – dhe mbrojtësin Diego Lugano, i cili vitin e kaluar fitoi në Copa America, kurse më 2010 arriti në gjysmëfinale të Kampionatit botëror.
PSG-ja nuk e ka fituar titullin në ligë nga viti 1994 dhe për herë të fundit në Ligën e Kampionëve luajti tetë vjet më parë. Të përkrahur nga investimet nga Katari, PSG-ja ka shpenzuar rreth 90 milionë euro nga fillimi i sezonit. Dhe, sipas gjitha gjasave, nuk do të ndalet me kaq.