“Dialogu në pajtueshmëri të plotë me pavarësinë”

“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit euroatlantik që është edhe vizioni i shtetit të Kosovës. Përmbyllja e këtij procesi është një sukses i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovës, si dhe Bashkimit Evropian. Prandaj ju falënderoj për përkrahjen dhe përkushtimin e juaj të pakursyer ndaj shtetit të Kosovës. Qeveria dhe populli i Kosovës përjetësisht do të ruajnë miqësinë dhe raportet e shenjta që kemi me Qeverinë dhe popullin Amerikan”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi, bëhet e ditur nga një komunikatë e kryeministrisë.
Sa i përket integrimeve evropiane, kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova po përmbushë reformat e nevojshme dhe po pret dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
I kuptojmë vështirësitë politike në kuadër të BE-së, por përkundër jo unitetit për pavarësinë e Kosovës, është për t’u përshëndetur unanimiteti që ekziston në kuadër të BE-së për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor
Kryeministri Thaçi, gjithashtu, ka theksuar se në kuadër të procesit të integrimeve evropiane si dhe fqinjësisë së mirë, Republika e Kosovës është e përkushtuar që të normalizojë raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në pajtueshmëri të plotë me pavarësinë, sovranitetin, integritetin, si dhe kushtetutën e ligjet e Republikës së Kosovës.
Ndërsa zëvendës sekretari Burns, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të vazhdojnë të jenë mike të Kosovës si dhe do të ofrojnë mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të mëtutjeshëm të Kosovës.