“I huaji” në Norvegji
Rreth një vit xhirime iu deshën regjisorit kosovar, Besnik Zogaj, që të realizonte filmin dokumentar, që gjatë punimit ishte emërtuar “Integrimi”, në mënyrë që në fund të pagëzohej me emrin “I Huaji”.
Premiera e filmit u dha më 7 shkurt 2011, në kinemanë Lovenvold, të qytetit norvegjez Alesund. Interesimi i publikut norvegjez ishte shumë i madh. Ndërkaq, mediat elektronike dhe ato të shkruara premierën e filmit e cilësuan ngjarje të veçantë në qytetin e Alesundit.
Interesimi i publikut dhe mediave nuk doli të jetë i rastësishëm, ngaqë filmi trajton një temë shumë me interes për audiencën e atjeshme. “Fakti që këtu ekziston fjala ‘i huaj’, më bëri përshtypje dhe më zgjoi kureshtjen për të filluar me realizimin e filmit, duke u bazuar në këtë ide”, thotë regjisori Zogaj. Së këndejmi, integrimi i vështirë i të huajve, peripecitë, pranimi i një të huaji në shoqërinë norvegjeze dhe jeta e një të huaji në Norvegji janë temat kyçe të filmit.
“Gjatë xhirimeve, mësova shumë, dhe njoha shumë njerëz dhe kultura, për të cilat vetëm kisha dëgjuar. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi me një ekip norvegjezesh ishte një përvojë e re për mua, megjithëse, njëkohësisht më munguan kolegët e mi në Kosovë”, tregon tutje Zogaj.
Paraqitja me këtë film ishte takimi i parë i Zogajt me publikun norvegjez, edhe pse nuk duket se do të ngelet i harruar. Drejtoresha e shkollës Voksenoppleringsenter, Anne Grethe, iu tha mediave norvegjeze se është e kënaqur me suksesin e regjisorit kosovar.
Ajo madje tregoi edhe një rrëfim të shkurtër për kontaktin e parë me Zogajn.
“Një vit më parë, në zyrën time më erdhi një kërkesë nga një kosovar për të bërë një film dokumentar. E kisha në dorë idenë dhe mu duk një kërkesë serioze. Kjo më shtyu që të hulumtoja rreth regjisorit Besnik Zogaj. E pashë suksesin e regjisorit të ri, dhe nuk hezitova t’i dilja në ndihmë. Sot jam shumë e impresionuar”, pohoi Grethe.
Ndryshe, pas këtij projekti filmik, Zogaj do të punojë në një film të shkurtër artistik, për të cilin tashmë e ka shkruar skenarin, dhe do ta bëjë regjinë. Zogaj tregon se i gjithë ekipi, përfshirë edhe aktorët, do të jenë norvegjez. Xhirimet do t’i fillojë së shpejti.