Konfiskohen 28 tonë mish nga India
Njësiti për hetimin e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit nga Peja në bashkëpunim me zyrtarët doganor dhe ata të AVUK-ut kanë konfiskuar 28000 kg mish që dyshohet të ketë prejardhjen nga India e cila gjendet në listën e vendeve që nuk kanë të drejtë eksporti të mishit në Republikën e Kosovës.
Policia ka marrë dje një informacion se në pikën kufitare të Kullës (mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës) do të hyjë një ngarkesë me mallra kontrabandë gjegjësisht ngarkesë me mish gjedhi me prejardhje të dyshimtë.
Njësiti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Peja kanë ndërmarrë masat për identifikimin e kësaj ngarkese. Lidhur me këtë rast janë njoftuar edhe inspektorët e AVUK-ut (Agjencisë së Veterinës dhe të Ushqimit) dhe në bashkëpunim me oficerët doganorë është bërë kontrolli i ngarkesës së mishit në një kamion transporti – frigorifer me targa PGBV 817/PG059AA.
Në këtë kamion frigorifer ishte i ngarkuar kontejneri dhe sipas dokumenteve kjo ngarkesë me mish ishte ngarkuar nga firma INTER MEAT GMBH nga Lucern - Zvicër, për një firmë private në Prishtinë.
Pas verifikimit të dokumentacionit (në bazë të të cilit kjo ngarkesë ishte me prejardhje nga Brazili) dhe pas kontrollimit në detaje ka rezultuar se ky mish në sasi prej 28000 kg kishte prejardhje nga India gjë që dëshmohet edhe nga fletë-dërgesa gjegjësisht Konosmani (Bill of Lading for ocean transport” e datës 24.12.2010 lëshuar nga Bombay (Mumbay) Indi në emër të firmës transportuese Maersk Line nga Bandra West India.
Kontejneri me ngarkesë është bllokuar dhe është vënë menjëherë në mbikëqyrje doganore pasi importuesi nuk ka licencë për import të mishit nga India e cila gjendet në listën e vendeve që nuk kanë të drejtë eksporti të mishit në Republikën e Kosovës.
Për rastin pas konsultimit me prokurorinë publike në Pejë është iniciuar procedura hetimore.
Malli i konfiskuar pritet të asgjësohet sot në prezencën e inspektorëve të AVUK-ut.