“Patriotic Hypermarket” n’Modena

Edicioni i sivjetmë, i teti me radhë, do të mbahet prej datës 24 maj deri më 2 qershor. Në fokus të festivalit do të jetë skena moderne teatrore, gjegjësisht risitë interesante dhe çështjet aktuale të cilat trajtohen nga artistët modernë në gjithë botën.
Kjo pjesëmarrje kaq e rëndësishme në Itali u parapri me pjesëmarrjen e kësaj shfaqjeje edhe në Bosnje e Hercegovinë. Në organizim të Festivalit Ndërkombëtar Teatror - MESS, shfaqja “Patriotic Hypermarket” (Hipermarketi Patriotik) u dha më 21 prill, në Tetarin Popullor të Bosnje e Hercegovinës, në Zenicë. Pastaj, më 22 prill, shfaqja u dha edhe në Teatrin e Sarajevës – SARTR, në kuadër të ‘Modulit të Memories 2012’.
Ndryshe, premiera e shfaqjes që flet për jetën e shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë u dha në tetor të vitit 2011, në Bitef Teatar, në Beograd.
Shfaqja është krijuar si kooproduksion i Asociacionit KulturaNova nga Novi Sadi (Vojvodinë), i Qendrës Multimedia nga Prishtina, dhe i Bitef Teatar nga Beogradi. Shfaqja është pjesë e projektit artistiko-hulumtues “Vështrimet: Takimi i Historive Personale të Shqiptarëve dhe Serbëve”, që synon të parashtrojë pyetje të ndryshme lidhur me kujtimet personale të dëshmitarëve të konfliktit serbo-shqiptar, por lidhur me vizionet e tyre për të ardhmen dhe për mundësitë e një bashkëjetese mes serbëve e shqiptarëve.
Hulumtimi në fjalë ka përfunduar e një ekspozitë të fotografive dhe me publikimin e një broshure në tri gjuhë, pjesë e së cilës janë edhe intervistat e kryera gjatë hulumtimit, në bazë të të cilave dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, dhe dramaturgia serbe, Milena Bogavac (nga Beogradi), shkruan një tekst të përbashkët dramaturgjiko-dokumentar.
Regjia e shfaqjes së bazuar mbi këtë tekst është bërë nga regjisori boshnjak, Dino Mustafic, ndërkohë që rolet kryesore në “Patriotic Hypermarket” u janë besuar aktorëve nga Prishtina, Beogradi, Shkupi e Tirana: Dubravka Kovijanic (Beograd), Kushtrim Hoxha (Prishtinë), Milutin Milosevic (Beograd), Bajrush Mjaku (Shkup), Ema Andrea (Tiranë), Slobodan Bestic (Beograd), etj.