GAK shtynë afatin e aplikimit

Galeria e Arteve e Kosovës ka njoftuar për shtyrjen e datës përfundimtare të aplikimit për Çmimin “Artistët e së Nesërmes 2012” deri më 15 maj.
Njëkohësisht, GAK ka përsëritur thirrjen për të gjithë krijuesit (me moshë nën 35-vjeçare) nga fushat e pikturës, skulpturës, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos dhe performancës, që të konkurrojnë për edicionin jubilar të këtij çmimi.
Fituesi i çmimit do të shpërblehet me një rezidencë 6-javëshe në New York, (Studio Ndërkombëtare dhe Program Kuratorial – www.iscp-nyc.org).
Ndryshe, ekspozita Çmimi “Artistët e së Nesërmes 2012” do të mbahet gjatë muajit tetor, kur një juri ndërkombëtare do t’i shqyrtojë propozimet, do t’i intervistojë artistët dhe ta shpallë fituesin.
Çmimi “Artistët e së Nesërmes” organizohet nga GAK, në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile në New York.