“Shkollimi” për terroristë
Fëmijët - në mesin e të cilëve më të rinjtë janë vetëm shtatëvjeçar e më të ‘mëdhenjtë’ dhjetëvjeçar - në shkollat për terroristë i mbajnë të lidhur me zinxhirë - të cilët janë të lidhur për shtretër. Atyre u predikohet një version tejet radikal i Islamit. Për më tepër, u premtohet se, po qe se vriten si martirë gjatë sulmeve të kryera vetëvrasëse, ata do të shkojnë në parajsë, thuhet në tekstin e botuar në ‘Daily Mail’.
Gazetari, Neil Doyle, që merret me hulumtimin e terrorit, ditë më parë ka publikuar fotografitë e fëmijëve të ngujuar, pasi që policia somaleze kreu një aksion dhe bastisi një ndërtesë shkollore në kryeqytetin Mogadishu.
Mësimi aty mbahej në një internat islamik, ndërkohë që fëmijët i mësonte një pjesëtar i grupit terrorist somalez Al-Shabab, që për inspirim ka rrjetin Al-Qaeda. Aksioni i kryer policor ishte vetëm njëri prej disa aksioneve të ngjashme që u autorizuan nga qeveria somaleze, të cilat rezultuan me arrestimin e 200 personave të përfshirë.
Pasi që u arrestua, një arsimtar i shkollës në Mogadishu deklaroi se nxënësit mbaheshin në zinxhirë, sepse ishin të dënuar për shkak se vazhdimisht iknin nga mësimi.
Mirëpo, shumica e prindërve të këtyre nxënësve pohojnë se ata fare nuk e dinin se ku i kishin dhe si trajtoheshin fëmijët e tyre.
Përndryshe, shkolla të ngjashme më parë ekzistonin edhe në Afganistan, ku talibanët i indoktrinonin fëmijët (zakonisht femrat), dhe i stërvisnin për kryerjen e akteve terroriste.
Gjenerata e fëmijëve-ushtarë dhe sulmues vetëvrasës
“Fotografitë e fëmijëve të shtyjnë të mendosh se organizata Al-Shabab i është kthyer periudhës së robërisë, me qëllim të krijimit të një gjenerate të re të fëmijëve-ushtarë dhe të sulmuesve vetëvrasës”, sqaron Doyle për edicionin e fundjavës gazetës britanike.
“Gjatë konfrontimit me forcat qeveritare grupi ka humbur një pjesë të madhe të territorit, kështu që tani po mundohet dëshpërimisht që të rikthejë pozicionet e veta, por duke keqpërdorur fëmijët për këtë qëllim”, shton ai tutje, derisa pohon se, “ata po shkojnë hapave të militantëve të tjerë që për shënjestër kanë fëmijët”.
Shkolla në të cilën fëmijët i stërvisin për t’u bërë terroristë është zbuluar disa ditë pasi që organizata terroriste somaleze Al-Shabab mori përgjegjësinë për një sulm në Mogadishu që la të vrarë të paktën tetë ushtarë somalezë, kur një bombë e teledirigjuar qëlloi automjetin e tyre ushtarak.
Ndryshe, zbulimi i kësaj ‘shkolle’ vetëm sa ka shtuar frikën se Al-Shabab mund të ketë shtrirë aktivitetet edhe në Britaninë e Madhe. Synimet e tyre janë bërë të qarta atëherë kur në Britani të Madhe dy vëllezërit binjakë, Shabir dhe Shafiq Ali, u shtirën si mbledhës të donacioneve për bamirësi për Palestinën dhe për të varfrit e tjerë nëpër botë, edhe ata, në fakt, paratë e mbledhura ia kishin dërguar vëllait të tyre të madh, për t’ia dërguar organizatave terroriste në Somali.
Binjakët 25-vjeçarë u arrestuan pas bastisjes së shtëpisë së tyre, respektivisht, pasi që policia kundërterroriste zbuloi incizimin e bisedës me të vëllain. Shabir dhe Shafiq Ali u dënuan me nga tre vjet burg. Që të dy deklaruan se ishin inspiruar nga predikuesi radikal i Al_Qaeda’s, Anwar al-Awalaki, i cili qëndronte pas planifikimit të disa sulmeve me bomba. Anwar al-Awalaki u vra vitin e kaluar, gjatë një sulmi me aeroplanë pa pilot.
Binjakët po ashtu treguan se vëllai i tyre ishte i përkushtuar që (bashkë me disa të tjerë) të kryente një sulm vetëvrasës, në emër të krijimit të “Emiratit Islamik të Somalisë”.
Kohëve të fundit reputacioni terrorist i Somalisë vetëm sa është rritur, gjë që sivjet ka nxitur mbajtjen e një samiti ndërkombëtar, në të cilin sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka nënvizuar se Britanisë së Madhe i duhet të shtojë përkushtimin e saj për ndaljen e terrorizmit në Somali.