Pendohet Irani, tash pranon ndihma

Dy tërmete, me magnitudë prej 6.3 dhe 6.4 shkallësh të Richterit, goditën të shtunën pjesën veriperëndimore të Iranit.
Irani fillimisht kundërshtoi ofertat për ndihmë nga jashtë, duke pohuar do ta menaxhonte vetë situatën.
Në ndërkohë, pasojat e tërmeteve janë rritur. Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se është rritur numri i trupave të pajetë që u gjetën në fshatrat e goditura nga tërmetet.
Të hënën, autoritetet iraniane njoftuan se kanë ndërprerë aksionet e shpëtimit, dhe se janë fokusuar në shpërndarjen e ushqimit dhe strehimit për të mbijetuarit dhe në kërkimin e trupave të pajetë.
Zyrtarisht, si pasojë e tërmeteve të së shtunës, jetën e kanë humbur mbi 300 njerëz, mbi 2,000 janë dërguar për trajtim në spitale -në mesin e të cilëve afro 500 janë me lëndime më serioze – ndërkohë që mbi 30,000 të tjerë kanë mbetur pa shtëpi.