E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 korrik 2008


 
Komisioni për Edukimin  dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton ndër të tjera, për transmetimet radiotelevizive
        
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në mbledhjen e datës 15 korrik 2008  diskutoi mbi procedurën që do të ndjekë për diskutimin e dy projektligjeve: Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8410, datë 30.9.1998 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, dhe Për transmetimet radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë.   Në lidhje me projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8410, datë 30.9.1998 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë, propozim i deputetit Safet Sula, që ka të bëjë me çështjen e pronësisë së këtij institucioni të pavarur, Komisioni, në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Ligjeve, të cilit iu kërkua mendimi i specializuar, vendosi të kërkojë mendimin me shkrim të Ministrisë së Drejtësisë dhe të RTSH-së.   Në vazhdim, Komisioni kaloi në diskutimin e procedurës që do të ndiqet për shqyrtimin e projektligjit Për transmetimet radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë. Në mbledhje u vendos që fillimisht të organizohet një seancë dëgjimore me faktorët e interesit, më datë 17 korrik 2008, ora 18.00, dhe më pas do të vazhdojë shqyrtimi në Komision.   Në fund, deputetët u njohën me korrespondencën drejtuar Komisionit. Fillimisht u lexua propozimi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për krijimin nga Presidenti i Republikës të Urdhërit Eqerem Çabej, për të cilin deputetët u shprehën dakord.   Më pas, Komisioni u njoh me letrën e Kryetares së KKRT-së, Doda, në të cilën ajo ankohet mbi disa veprime të përsëritura të organit të Prokurorisë.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 96).   Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton pesë marrëveshje dhe projektligjin Për taksat kombëtare
Në mbledhjen e datës 15 korrik 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat vazhdoi diskutimin e projektligjit "Për taksat kombëtare". Në këtë seancë deputetët i drejtuan pyetje Zëvendësministrit të Financave, Florion Mima për të rejat dhe ndryshimet që sjell ky projektligj dhe diskutuan rreth tij.   Gjatë votimit dhe diskutimit nen për nen, Komisioni bëri disa ndryshime të karakterit jo thelbësor dhe e miratoi me të gjitha votat pro.    Komisioni, në prani të specialistëve të Ministrisë, mori në shqyrtim edhe këto projektligje:   1. Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit Përballimi dhe zbutja e rrezikut nga fatkeqësitë;
2. Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin Përballimi dhe zbutja e rrezikut nga fatkeqësitë.;
3. Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të  Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërive Zviceriane ANDRE & CIE, UZIMEX, FLUKA CHEMIE, FICHER CHEMICALS, CIBA GEIGY (NOVARTIS), FINAGRAIN, të përfaqësuara nga zoti Edmond Kërliu, për riskedulimin e borxhit të prapambetur, që do tu paguhet këtyre shoqërive;
4. Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për financimin e projektit Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe;
5. Për  ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin Siguria e digave.
Komisioni i miratoi të gjitha marrëveshjet me të gjitha votat pro.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)   Sektori i Marrëdhënieve me Mediat  i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›