21 korrik 2008
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton një projektligj dhe zhvillon seancë pyetjesh me një nga kandidatët për anëtar të Komisionit të Konkurrencës Në mbledhjen e datës 21 korrik 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi mbledhje me këtë rend dite:
1. Projektligji Për disa shtesa në ligjin nr.9396, datë 12.5.2005, Për qiranë financiare, të ndryshuar;
2. Akt - normativ Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve;
3. Seancë dëgjimore për kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës, për vendin bosh në Komisionin e Konkurrencës.
Projektligji Për disa shtesa në ligjin nr.9396, datë 12.5.2005, Për qiranë financiare, të ndryshuar, u diskutua në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë. Ai propozon përfshirjen e gjithë veprimtarisë së qirasë financiare dhe të subjekteve që ushtrojnë këtë veprimtari, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, e cila aktualisht mbikëqyr bankat dhe subjektet financiare jo bankare, të licencuara prej saj.
Ky projektligj u miratua me të gjitha votat pro të deputetëve të pranishëm.
Gjatë diskutimit të aktit - normativ Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve, specialistët e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shpjeguan se për shkak të boshllëkut ligjor të krijuar nga shfuqizimi i ligjit nr. 7512, datë 10.8.1991 Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë të veprimtarive private, të pavarura dhe privatizimit, të ndryshuar, në mars të vitit 2008 dhe për mosndërprerjen e punës për privatizimin e pronës shtetërore ose për dhënien në përdorim të saj, Qeveria është e detyruar të propozojë këtë akt normative.
Deputetët e opozitës kundërshtuan aktin-normativ, duke kërkuar që kjo fushë e legjislacionit duhet të mbulohet me ligj, sepse nuk ka asnjë listë urgjente të ndërmarrjeve për privatizim që të justifikojë atë. Ata u larguan nga mbledhja dhe votimi i aktit-normativ u shty për në mbledhjen e rradhës.
Komisioni zhvilloi dhe seancën e pyetjeve me njërin nga kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës, për vendin bosh në Komisionin e Konkurrencës, me zotin Burhan Malevi. Ai bëri një prezantim të veprimtarisë së tij profesionale dhe të formimit arsimor. Deputetët i drejtuan pyetje, të cilat lidhen me fushën e veprimit të këtij institucioni.
Komisioni e miratoi kandidaturën e zotit Burhan Malevi, pasi plotëson kriteret e kërkuara nga ligji dhe do tia propozojë seancës plenare për votim. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.) Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore me Ministrin e Bujqësisë Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 21 korrik 2008, dëgjoi informimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për zbatimin e projekteve të ujitjes dhe kullimit gjatë kësaj periudhe.
Ishin të pranishëm në mbledhje Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana dhe specialistët e kësaj Ministrie: Irfan Tarelli dhe Esat Hasani.
Fillimisht Ministri, Jemin Gjana bëri një ekspoze të shkurtër të gjendjes së sistemit të ujitjes dhe kullimit, zonat ku është ndërhyrë me fonde të Buxhetit të Shtetit dhe objektet ku është ndërhyrë me projektin e Bankës Botërore.Ai shpjegoi se është një sipërfaqe 280 mijë ha, ku shtrihet sistemi i kullimit. Problemet e kullimit janë të trashëguara që pas vitit 1990. 75 mijë ha kullohet nëpërmjet 29 hidrovoreve që ka vendi. I gjithë rrjeti kullues që funksionon, është 15700 km. Me ujitjen është punuar me projektin e Bankës Botërore në tre faza. Po punohet me fonde të buxhetit të shtetit për problemet e kullimit dhe me projekte të Bankës Botërore në veprat e ujitjes. Në vitin 2005, kanë qenë disa zona problematike nga mungesa e ndërhyrjeve të veprave të mëdha të kullimit. Në vitet 2005 - 2006 u bë ndërhyrje në qarkun e Lezhës. Në total po t`i qëndrohet shifrave që janë investuar, nevoja është plotësuar në masën 50% të asaj që duhet. Më tej, u vijua me pyetjet e deputetëtëve në të cilat, ata paraqitën shqetësimet e zonave të tyre. Në përfundim Kryetari i Komisionit, falënderoi Ministrin për informacionin dhe e siguroi atë se do të ketë mbështetjen e Komisionit, kur të përcaktohen politikat e zhvillimit dhe diskutimet e buxheteve të ardhshme. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).