E Shtunë, 31 Tetor 2026

22 korrik 2008 - Njoftim për shtyp

  R E L A C I O N   Deputeti Taulant Balla, gjatë Seancës Plenare të datës 21.7.2008 është sjellë në mënyrë të padenjë dhe të përsëritur, duke përdorur gjuhë ofenduese e provokacione të ulëta duke shkaktuar rrëmujë në sallën e Seancës Plenare e, për rrjedhojë, duke krijuar probleme serioze në mbarëvajtjen e punës së Parlamentit.   Kryetarja e Kuvendit i ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të vazhdueshme deputetit Balla, por ai ka vazhduar të kryejë shkeljet e mësipërme në kundërshtim të hapur me nenet 62 dhe 65 të Rregullores së Kuvendit. Në mbështetje të nenit 65, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar të dalë nga salla dhe ka ndërprerë seancën plenare. Deputeti Balla nuk i është bindur këtij urdhri dhe ka kundërshtuar daljen nga salla. Për më tepër, ai ka vazhduar të provokojë rrëmujë në sallë dhe të përdorë fjalë fyese, duke konsumuar shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit, parashikuar nga neni 65, pika 2 e saj.   Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në mbështetje të nenit 65, pika 2 e Rregullores së Kuvendit i ka kërkuar Byrosë së Kuvendit përjashtimin e deputetit Taulant Balla nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve dhe të seancave plenare të Kuvendit, për një periudhë 15 ditore.   Byroja e Kuvendit, e mbledhur në datë 22.7.2008, diskutoi mbi marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Taulant Balla, për sjelljen e tij në seancën plenare të datës 21.7.2008, në shkelje të neneve 62 dhe 65 pika 2 e Rregullores, Anëtarët e Byrosë konstatuan me shqetësim se deputeti Taulant Balla, në mënyrë të përsëritur ka shkelur nenet 62 dhe 65, pika 2 e Rregullores së Kuvendit, ka përdorur fjalë fyese, ka shkaktuar rrëmujë në Seancë Plenare dhe nuk i është bindur urdhrit të Kryetares së Kuvendit për të lënë sallën e senacës plenare. Për këto arsye Byroja e Kuvendit i konsideroi sjelljet e deputetit Taulant Balla si shkelje e hapur e neneve 62 dhe 65, pika 2 e Rregullores së Kuvendit dhe vendosi përjashtimin e tij nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve dhe të seancave plenare për një periudhë 15 ditore. Masa ndaj tij ishte e vonuar. Byroja nuk mund te pranoje te shnderroje Parlamentin ne arene shpifjesh e turpi.   Bashkëlidhur, vendimi i Byrosë së Kuvendit.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Byroja

V E N D I M


Nr.    , datë 22.7.2008

  PËR MARRJEN E MASËS DISIPLINORE NDAJ DEPUTETIT TAULANT BALLA   Në mbështetje të neneve 62 dhe 65, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, me propozim të Kryetares së Kuvendit,


BYROJA E KUVENDIT
V E N D O S I:


I. Deputeti Taulant Balla përjashtohet nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve të Kuvendit dhe seancave plenare për një periudhë 15 ditore.   II. Masa disiplinore shoqërohet me sanksionin financiar, ndalimin e pagës për 15 ditë.   III. Ngarkohet Shërbimi i Sigurisë dhe Shërbimi i Financës për zbatimin e këtij vendimi.   IV. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.   K R Y E T A R E
Jozefina Topalli (Çoba)

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›