15 projektligjet që mbyllin Kuvendin
Data 11 maj do të jetë dita e fundit e Kuvendit të Shqipërisë, para se të mbyllet zyrtarisht më 14 maj kjo legjislaturë 4-vjeçare. Ditën e fundit të Kuvendit, përpara se ai të shpërndahet, pritet të miratohen projektligjet e fundit të mbërritura në axhendën e Kuvendit. Janë rreth 15 projektligje, të ardhura kryesisht nga Këshilli i Ministrave që pritet të votohen. Aktualisht komisionet në Kuvend kanë mbyllur diskutimet paraprake për këto projektligje. Në listën kryesore të projektligjeve është ai i krijimit të Gjykatave Administrative. PS dhe PD do ta miratojnë atë me konsensus, pasi kërkon minimalisht 84 vota. Ky projektligj do të jetë një ndihmë e madhe kryesisht për biznesin, në shkurtimin e procedimit të çështjeve administrative. Por në listën e projektligjeve ndodhen edhe ndryshime të tjera si projektligji "Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave", projektligji "Për disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore””, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”” etj.