E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në shëndetësi, Meta: Investim në teknologji



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë në spitalin rajonal të Durrësit, nga ku deklaroi se kjo forcë politike, në rast se fiton zgjedhjet, do të investojë në shëndetësi, kryesisht në teknologji, sipas Metës, në mënyrë që të sëmurët të kurohen në vendin tonë. Duke pohuar se ka ende shumë kërkesa për të ofruar shërbimet e nevojshme dhe të shpejta në këtë spital modern, Meta shprehu angazhimin e LSI-së që spitali i Durrësit të pajiset me aparatura moderne të domosdoshme, siç është skaneri, i cili mungon, apo rezonanca magnetike. “Investimi në teknologji do të bëjë të mundur që qytetarët të kurohen në vendin tonë, duke mos shpenzuar shuma kolosale për kurime jashtë vendit”, - deklaroi z. Meta. Kreu i LSI-së shoqërohej nga kandidatët për deputetë në Durrës, Lefter Koka dhe Artur Zheji.

Zgjedhjet, PBK: Me PD-në do të fitojmë zgjedhjet

Partia e Ballit Kombëtar shprehet e sigurt se në zgjedhjet e 28 qershorit, e djathta do të fitojë mandatin e ri qeverisës. Kryetari ballist, Adriatik Alimadhi, deklaroi dje se e djathta është e vetmja alternativë zhvillimi. “E djathta ka fituar me alternativën e saj sepse Shqipëria po shkon përpara, në NATO e në BE. Ky është integrimi i plotë i Shqipërisë dhe prioriteti i takon të djathtës shqiptare. Partia Demokratike përbën bërthamën, e cila doli për të përmbysur regjimin komunist. PD e PBK përbëjnë boshtin e këtij grupimi shoqëror, që të gjithë shqiptarët duhet ta votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Alimadhi. Kryesia e kësaj partie miratoi dje emrat e 140 kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet, si dhe programin e fushatës zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›