E Shtunë, 31 Tetor 2026

Starova: E djathta, e sigurt drejt fitores



Kryetari i PBLD-së, Arian Starova, gjykon se e djathta ecën e sigurt drejt fitores së 28 qershorit, pasi ka mundur të realizojë reforma të rëndësishme për vendin. Starova ishte dje në Elbasan, ku përshëndeti delegatët e kuvendit rajonal të liberal-demokratëve të qarkut Elbasan. Ai shprehu bindjen se "koalicioni i djathtë i drejtuar nga PD-ja është koalicioni i sigurt drejt fitores". Starova kërkoi angazhimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të BLD-së në nivel lokal për të marrë sa më shumë vota me 14 kandidatët përfaqësues dhe të votojnë për mazhorancën. Një ndër kandidatët kryesorë do të jetë pedagogu i Universitetit "Aleksandër Xhuvani", Arben Haxhiymeri, drejtues për vite me radhë i kësaj force politike për Elbasanin. Të pranishmit kanë vlerësuar figurat e spikatura me të cilat do të përfaqësohet Bashkimi Liberal Demokrat duke shprehur vlerësimin për koalicionin e djathtë me në krye Partinë Demokratike. Delegatët e këtij kuvendi i përshëndeti edhe kryetari i degës së PD-së Elbasan, Luçiano Boçi, i cili vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer PD-BLD ndër vite dhe vlerat intelektuale që ka Bashkimi Liberal Demokrat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›