Përgatitja e zgjedhjeve, demokratët rikthehen në seli
Në humbje ndahen të gjithë, fitorja është ajo që i bashkon. Demokratët kanë sigurinë e plotë se sërish do të jenë fituesit e një mandati tjetër 4-vjeçar. Përgatitja për zgjedhjet e 28 qershorit i ka rikthyer ata në shtëpi, ata që prej kohësh kishin zbrazur ndërtesën trekatëshe në qendër të Tiranës. Nga një gjendje e vakët, prej ditësh selia gumëzhin nga lëvizjet e shumta të zyrtarëve, deputetëve dhe simpatizantëve të PD-së. Janë gati për fushatën e re elektorale me risitë dhe surprizat e saj të huazuara edhe nga Perëndimi, sepse është një lider në krye të PD-së, si Sali Berisha, që pasi firmosi Shqipërinë në NATO, vijimësia e reformave të rëndësishme do ta çojë drejt ngjarjes tjetër historike, atë të vendit anëtar të BE-së. Çdokush në PD ndien aromën e fitores së re të 28 qershorit, ndaj janë rikthyer. Të qenit në pushtet dhe angazhimi në detyra qeveritare e kishte lënë PD-në të zbrazët që nga zyrtarët e saj deri tek militantët. Të mësuar t’i shohim vazhdimisht përreth selisë që prej javësh ka hequr dorë nga fasada ngjyra blu për një imazh të ri edhe në lukun e saj dhe e rikonstruktuar tërësisht në prag të zgjedhjeve, çdo ditë që afron me 28 qershorin, i afron ata edhe me PD-në. Zbrazëtia ka marrë fund me fillimin e fushatës elektorale. Tashmë drejtuesit e PD-së kalojnë më shumë kohë në PD, duke filluar nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode, i cili po merret me organizimin e kuvendit të ardhshëm të 23 majit. Por edhe dy nënkryetarët demokratë, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, shihen më shpesh në zyrat partiake. Dhe ai që përcakton axhendën e takimeve elektorale është sekretari organizativ, Flamur Noka, dhe pjesa tjetër e departamentit që ai drejton, të vetmit që u gjendën në PD edhe atëherë kur të tjerët mësynë drejt Kryeministrisë, ministrive apo drejtorive të rëndësishme, pasi një parti e madhe si PD-ja, pavarësisht se në pushtet, nuk mund të lërë pas dore organizimin e saj, i cili merr më shumë energji gjatë fushatave elektorale apo zgjedhjeve të brendshme, fazë në të cilën është aktualisht PD-ja. Por ditët e fundit, pranë selisë qendrore janë afruar edhe deputetët e saj. Edhe ata ishin “të larguarit” e përkohshëm të ndërtesës trekatëshe. Por mbyllja e sezonit të kësaj legjislature, së cilës i mbetet edhe një seancë përfundimtare më datën 12 maj, i ka zhvendosur ata nga mjediset e Kryesisë së Kuvendit apo kafet përreth këtij institucioni, për t’iu drejtuar selisë së partisë. Pothuajse çdo ditë, kafja e mëngjesit të ligjvënësve demokratë pihet në mjediset përreth PD-së. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrin vesh diçka më shumë për përfshirjen e emrave në listat e kandidatëve për deputetë. Herë me njëri-tjetrin dhe herë me miq apo elektoratin e tyre, deputetët gjithsesi këto ditë gjenden afër PD-së. Militantët, ata që nuk ditën të braktisin PD-në as në momentet më të vështira të saj përgjatë 19 viteve të krijimit të saj, tashmë janë më euforikë. Optimizmi për një fitore të re ka bërë që ata të shtohen në numër çdo ditë, madje të gatshëm për gjithçka që do të shkonte në favor të fitores së 28 qershorit. Përditë shihen fytyra të reja, sepse në PD i sjell “Shqipëria po ndryshon”. Janë të rinj që duan të anëtarësohen në radhët e Partisë Demokratike dhe dyert i kanë gjetur të hapura në çdo moment. Afrimi i tyre me partinë në pushtet ka një arsye të fortë, optimizmi se me një PD qeverisëse edhe për një mandat të ri, Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së, se e ardhmja e tyre do të jetë evropiane dhe perspektiva do të nisë në vendin e tyre, tashmë anëtar edhe i NATO-s. Ndaj, këto ditë dhe ditët që do të vijnë përgjatë fushatës elektorale, ata do të jenë të gjithë bashkë, sepse fitorja është shumë pranë.