E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, debat per shtetasit pa pasaporte



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve debatoi dje në lidhje me qytetarët të cilët nuk kanë pasaporta. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ kërkuan që Ministria e Brendshme të sjellë listën e qytetarëve pa pasaportë, të cilët kanë të drejtën e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, u shpreh se kjo listë duhet të dërgohet menjëherë në këtë institucion. Sipas saj, kjo është një çështje e rëndësishme që duhet të shqetësojë KQZ-së. Por kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se prania ose jo e kësaj liste nuk ndikon në punën e KQZ-së. Ndërsa për Subashin, ajo paraqet përparësi dhe duhet të informohen edhe institucionet ndërkombëtare. “Nuk ka ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lista e personave të cilët nuk disponojnë dokument për të qenë në qendrën e votimit në 28 qershor”, - tha Subashi. Kërkesa e përfaqësuesve të PS-së në KQZ erdhi pas arritjes së marrëveshjes me PD-në për kartat e identitetit. Tashmë PS-ja kërkon të dijë listën e saktë të personave që s’kanë pasaporta. Kryetari Ristani qetësoi përfaqësuesit e PS-së në komision, duke thënë se ministria informon KQZ-në sipas Kodit Zgjedhor. “Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike, jo më pak se një herë në muaj KQZ-në, në lidhje me ecurinë e pajisjes së shtetasve me karta identiteti sipas pikës 2, pra detyrimi për ta informuar KQZ-në jo më pak se një herë në muaj është vetëm për ecurinë e procesit. Lista e shtetasve do të dorëzohet në KQZ, se kur, nuk thotë ligji”, - tha Ristani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›