E Diel, 1 Nëntor 2026

Klaus firmos Traktatin e Lisbonës

Presidenti euroskeptik i Çekisë, Vaslav Klaus, ka firmosur dje Traktatin e Lisbonës, që është edhe hapi i fundit me të cilin është përballur dokumenti para ratifikimit të tij. Ky traktat, sipas hartuesve, ka si mision që të forcojë dhe centralizojë vendimmarrjen në vendet e Bashkimit Europian dhe është një version i ndrequr i projektkushtetutës europiane që u refuzua nga referendumet europiane 4 vjet më parë. Ndër të tjera, ky dokument parashikon edhe krijimin e postit të Presidentit të Këshillit Europian dhe ndryshon edhe mënyrën e votimeve. Traktati, sipas të gjitha gjasave, duhet të hyjë në fuqi në muajin dhjetor. Mbështetësit e Traktatit thonë se ai do të bëjë që BE të operojë në mënyrë më efikase, duke i dhënë Bashkimit Europian një zë më të fortë edhe në arenën ndërkombëtare.
Për sa i përket Presidentit çek, Vaslav Klaus, ai ishte Presidenti i vetëm i vendeve të BE-së që nuk e kishte vënë firmën e tij në dokumentin e firmosur nga të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së. Ai së pari nuk beson në një dokument të tillë, duke e konsideruar atë një rrezik për sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së. Për të ndaluar ardhjen në fuqi të traktatit, Klaus nxori shumë arsye, por më në fund pas plotësimit të tyre, ai hodhi firmën dje në orën 3 të pasdites. Veprimi i Klaus erdhi në përfundim të vendimit të Gjykatës Supreme çeke në lidhje me një kërkesë për shqyrtim që i bënë traktatit një grup senatorësh çekë, disa javë më parë. Ata donin të dinin nëse sipas gjykatës, traktati binte apo jo ndesh me Kushtetutën e vendit. Vendimi i gjykatës, i cili u shty për disa ditë, është dhënë dje dhe menjëherë më pas Presidenti çek e ka hedhur firmën e tij në dokument. Në fakt, hapi i djeshëm i Vaslav Klausit parashikohej në njëfarë mënyre pas deklaratave të tij të fundit në lidhje me traktatin. Disa ditë më parë, ai ishte shprehur se nuk do të ishte më pengesë për bllokimin e dokumentit, pas premtimeve që i ishin bërë për kërkesën që kishte parashtruar në lidhje me çështjen e gjermanëve sudetë. Sipas tij, kërkesa e tij ishte shumë e arsyeshme dhe e domosdoshme për të shmangur të gjitha përplasjet që mund të dilnin më vonë me hyrjen në fuqi të traktatit mes Çekisë dhe Gjermanisë në lidhje me mosmarrëveshje të ndodhura menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç postit të Presidentit të Këshillit Europian traktati parashikon edhe postin e shefit të politikës së jashtme, roli i të cilit është kombinimi i komisionerëve ekzistues të punëve të jashtme me atë të përfaqësuesit të çështjeve ndërkombëtare. Traktati do të ndryshojë edhe procedurat e votimit me vetot kombëtare. Për herë të parë, kjo marrëveshje do t‘u ofrojë mundësinë vendeve anëtare që nëse do të vendosin do të kenë edhe mundësinë e largimit nga organizata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›