E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 19-vjeçarja denoncon përdhunimin nga tre persona

Autori i Lajmit: red.
Një vajzë 19-vjeçare ka denoncuar në policinë e Durrësit se është përdhunuar nga një djalë, i cili arriti ta shtijë në dorë, duke e futur në një hotel në qytetin bregdetar. Burime nga policia e Durrësit bëjnë të ditur se kallëzimi penal është bërë dje nga një 19-vjeçarje, banuese në rrethin e Pukës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ajo i ka pohuar Policisë së Durrësit, se një ditë më parë rreth orës 23.00, 22-vjeçari Arben Peca e ka çuar në një hotel në lagjen Nr.14 Durrës. Në një nga dhomat e këtij hoteli, sipas denoncimit, 22-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën pukjane. Por nuk ka mjaftuar vetëm një përdhunim i vajzës, të paktën sipas denoncimit të saj. Pak minuta pasi ka mbaruar “punë” 22-vjeçari kukësian, në hotel kanë shkuar edhe dy shokë të tij. Flatin Pupla, 22 vjeç, lindur e banues në Macukull të Matit dhe Mirjan Hysa, 25 vjeç, lindur në Burrel e banues në lagjen Nr.14 Durrës, i janë vërsulur edhe ata vajzës 19-vjeçare të posapërdhunuar, duke tentuar që të dy, të kryejnë marrëdhënie seksuale me të. Në luftë me tre djemtë, vajza e pambrojtur, ka mundur të largohet nga hoteli duke shpëtuar nga një tjetër përdhunim, këtë herë në grup. Burime nga policia bëjnë të ditur se pas kallëzimit të kryer, policia tha se kreu arrestimin e 22-vjeçarit Arben Peca, lindur në Kukës e banues në fshatin Xhafzotaj të Durrësit. Ndërkohë, policia e Durrësit tha se nga ana e strukturave të saj, po punohet për kapjen e dy djemve të tjerë si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›